Basketboll

Tifozi unik nga Prizreni që bëri mbi 600 kilometra dhe mbi 6 orë udhëtim për klubin e zemrës (VIDEO)

Prishtinë(AsistiOnline) – Final Four i Ligës Unike për Femra u mbyll të enjten mbrëma, pas një organizimi dy ditor në qytetin e Vlorës në Shqipëri.

Me ndeshjen për vendin e tretë dhe atë të finales, u përmbyll turneu, që sa ju përket ndeshjeve ishte tejet i kontestuar, sidomos për shkak të referimit.

AsistiOnline.com e ndoqi nga afër gjithë këtë organizim dhe ajo që ra në sy ishte padyshim edhe udhëtimi i një tifozi unik nga Prizreni, i cili bëri përmbi 600 kilometra për të qenë afër Bashkimit, klubit të zemrës.

Është ky, Amir Bajra që njihet për fanatizmin ndaj ekipeve prizrenase, në veçanti atë të KBF Bashkimi, të cilin e vlerëson lart për të arriturat që nga viti 2018. Bajra, të enjten nuk kishte përtuar fare që të marrë rrugën e gjatë nga Prizreni për Vlorë për mbi 5 orë, vetëm e vetëm ti qëndrojë afër ekipit të zemrës në ndeshjen ndaj Prishtinës.

Megjithatë e gjithë kjo, iu shpërblye atij deri në një masë, pasi Bashkimi e fitoi medaljen e bronztë dhe ekipi në shenjë falënderimi i dha Bajrës edhe njërën nga medaljet.

Në një prononcim të shkurtër për AsistiOnline.com, Bajra tha se i mbeti merak që të jetë afër ekipit në ndeshjen e parë gjysmëfinale, por obligimet profesionale të punës, ia pamundësuan një gjë të tillë edhe pse me zemër ishte aty dhe ndeshjen e përcolli nga televizioni.

Bajra, po ashtu tregoi se është një adhurues i madh i basketbollit dhe i sportit në veçanti, me theks të veçantë i dy ekipeve basketbollistike dhe emblematike të qytetit të Prizrenit, KB dhe KBF Bashkimit, ndeshjet e të cilave i analizon në detaje.

Natyrisht, që tifozët e tillë janë vlerë e shtuar dhe unike për klubet kosovare dhe ato duhet të kenë një konsideratë të veçantë për njerëz të tillë. /AsistiOnline.com/

Amiri e ka postuar në YouTube edhe një video nga ky rrugëtim i gjatë për në Vlorë, për ta parë ekipin e zemrës nga afër. Ndiqeni atë.

 

Komentet janë të mbyllura.