Bashkimi i këtij stinori, një prej më të suksesshmive në historinë e basketbollit kosovar femëror
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Bashkimit në konkurencën e femrave, dje e fitoi trofeun e tretë në basketbollin tonë, për vetëm një sezon.
Vashat prizrenase triumfuan në finalen e madhe ndaj KBF Prishtinës me dallim tejet të thellë 78-64 dhe u stolisën me titullin e kampioneve të Kosovës, shkruan AsistiOnline.com
Ky titull i Bashkimit bëhet edhe më i veçantë, kur shtohet fakti se është trofeu i tretë sezonal dhe kompleton tripletën e famshme e të shumë përmendur në zhagonin sportiv.
Një sukses i tillë si ky i Bashkimit, arrihet rrallë herë në basketboll dhe aq më tepër në Kosovë, pasi ekipet deri diku janë aty për aty me cilësi dhe nuk ka ndonjë dallim të madh.
Bashkimi sivjet në fillim të stinorit e fitoi Superkupën e Kosovës, duke vazhduar në mes të sezonit për të ngritur Kupën e Kosovës e krejt në fund, festa e madhe kulmoi me titullin e kampionit, një sezon ëndrrash edhe për kapitenen e skuadrës, Aulona Muhadri që sivjet pati sezonin më të mirë që nga fillimet e karrierës.
Njëri prej njerëzve kryesor të Bashkimit në këtë sukses dhe që nga ardhja e tij, padyshim që është presidenti historik i klubit, Rrahman Përteshi. Me ardhjen e tij, Bashkimi por edhe komplet basketbolli i femrave në Kosovë u transformua krejtësisht, në aspektin pozitiv.
Në një prononcim për AsistiOnline.com, pas fitimit të titullit, Përteshi deklaroi se është shumë i kënaqur me sukseset përgjatë këtyre viteve, dhe shtoi se puna, mundi, angazhimi e sakrifica i janë shpërblyer në njëfarë forme.
“Natyrisht që ndihem i kënaqur por edhe i lehtësuar, që arritëm të e kompletojmë edhe një sezon të suksesshëm e me shumë trofe, ky vit është unik ngase e fituam tripletën. Dua ta falënderoj të gjithë strukturën e klubit, nga i pari e deri te i fundit, gjithë përkrahësit e ekipit, si sponsorët tanë, komunën, gjithë qytetin e Prizrenit dhe në veçanti tifozët më të mirë në botë ”Arpagjikt”, potencoi Përteshi për AsistiOnline.com
Nën-drejtimin e Përteshit i cili e mori klubin në vitin 2018, klubi i Bashkimit fitoi plotë 8 trofe dhe ka dy medalje të bronzta në Ligën Unike, derisa para ardhjes së tij, Bashkimi kishte 7 trofe në tërësi.
Një shembull i mirë ky i Bashkimit, se si me punë dhe angazhim, arrihen të gjitha objektivat, për një klub të suksesshëm. Urojmë që të gjitha klubet kosovare pa dallim, të kenë suksese të tilla ndër vite.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.