Basketboll

Burri: Nuk ka pasur siguri dhe kushte, madje tentuan ta arrestojnë kapitenin

Egzon Burri, anëtari i kryesisë KB Peja u ankua në mungesë të sigurisë dhe kushteve normale, kërcënimeve të vazhdueshme nga publiku që ishte afër dhe tentim arrestimi të kapitenit Hajdari. Megjithatë, ai falënderoi kryesinë e KB Trepça për pritje

Prishtinë(AsistiOnline) – Ndeshja e parë e serisë së finales për titull kampioni në Superligën e Kosovës, dje në palestën ”Minatori” duket se është përcjellur me tensione të shumta.

Stafi i klubit dhe lojtarët e Pejës kanë adresuar një mori kritika e akuza, për siguri dhe kushte loje të cilat sipas tyre, dje nuk kanë qenë të duhura në ”Minatori”.

Anëtari i kryesisë së klubit të Pejës, Egzon Burri në një deklarim për AsistiOnline.com, ka dhënë versionin e tij, se çfarë ka ndodhur mbrëmë në Mitrovicë.

Burri ka thënë se policia është sjellur shumë keq në Mitrovicë dhe ka tejkaluar kompetencat e veta, duke tentuar që të arrestojë edhe lojtarin Arti Hajdari, teksa e ka sulmuar fizikisht ish-kryetarin e klubit, Art Gashi.

Burri ka deklaruar se kryesia e klubit të Trepçës i ka pritur dhe përcjellur shumë mirë, për çka i falenderon përzemërisht, por sjelljet e policisë dhe sigurimit privat, sipas tij kanë qenë të turpshme.

Krejt në fund të deklarimit, Burri ka bërë apel të madh te FBK-ja që të krijojë siguri maksimale në këto ndeshje dhe se s’po kërkojnë asgjë më shumë, veçse të lejohet klubi, lojtarët e trajneri, që ta kryejnë punën e tyre në rrethana normale.

Reagimi i plotë i tij:

”Të jemi të sinqertë, dje në Mitrovicë disa gjëra nuk shkuan brenda suazave normale, madje ishin tërësisht jo normale. Është e vërtetë që kanë dashur ta arrestojnë lojtarin tonë, Arti Hajdari.

Kanë dasht që të njejtën kohë ta arrestojnë edhe një anëtar që ka qenë me neve në listën zyrtare të anëtarëve të kryesisë për ndeshje, konkretisht ish-kryetarin e klubit Art Gashi.

Rasti me Arti Hajdarin ka ndodhur diku tek tre (3) minutat e fundit te ndeshjes, aty ku trajneri i jonë kërkon pushim (time out) dhe Arti Hajdari nga nervozat e zakonshme të ndeshjes i shtyen mbrojtëset e bankinës që janë të vendosura përmbi lojtarët tanë dhe pas këtyre mbrojtësve, një polic çuditërisht nuk merret me tifozët e Trepçës të cilët 40 minuta pas bankës tone, kanë pështyer trajnerin dhe lojtarët tanë, i kane fyer dhe i kanë sulmuar në mënyrat më të rënda, po i njejti polic nuk e lejon trajnerin tonë që ta zhvillojë një time out normal, kjo mund të shihet edhe në xhirime se sa herë trajneri e ka zhvilluar time outin në fushë të basketbollit, sepse nuk ka mundur të ulet për të zhvilluar atë normalisht, shkaku i sjelljeve dhe veprimeve të turpshme të disa shikuesve aty pas bankës tonë.

Nuk mbaron me kaq, ai polic e gjuan mbrojtësen e bankës mbi lojtarët tanë dhe tenton që të hyjë ta arrestojë Arti Hajdari, në atë moment duket se e sheh komandanti i vet dhe e kap policin për fyti dhe së bashku me diku 4 policë tjerë, për shkak të tejkalimit të kompetencave që ka, e marrin dhe e largojnë jashtë dhe ka mundësi që është arrestuar, por s’kam informatë të konfirmuar.

Përfundon ndeshja, humb Peja, nisemi ne të shkojmë tek zhveshtorja jonë, janë njësia speciale e policisë, ndoshta edhe kan qen mbrenda në zhveshtore, një gjë e pakuptimtë, nuk e di pse kanë nevojë forcat speciale të policisë që të hyjnë në zhveshtore dhe të na presin, kur aty nuk ka ndonjë rrezik?

Por nisin kinse, lojtarët tanë duke i shtyer, hyni më shpejtë brenda, hyni më shpejtë, e në këtë presion normalisht që reagon ish-kryetari Art Gashi, duke apeluar që mos ti shtyejnë lojtarët tanë. Polici e kap për qafe, Art Gashin dhe ia fut shuplakë, tenton edhe ta grushtojë, por nuk arrin qëllimin, pasi Arti i shmanget.

Pas përfundimit të këtyre skenave të turpshme, njësia speciale sikur nuk ngopet dhe kërkon ti arrestojë Art Gashin dhe lojtarin Arti Hajdari, kinse për sjelljet që i kanë bërë e që realisht nuk përputhen fare me rastin.

Poashtu dua të cek se 10 persona të kryesisë sonë që na lejohet të shkojmë në ndeshje, janë ndoshta përmbi 30 policë që kanë ndenjur mbi kokat tona. Më shumë ka pasur policë mbi kokat tona, se në të gjitha hapësirat tjera të palestres. Duke na bërë presione si: Mos u ngritni në këmbë, mos shikoni anash, mos qeshni, mos qani, mos u gëzoni për karrige, mos prekni pjesët tuaja të trupit, mos komunikoni me shokët tuaj, dhe une sinqerisht nuk e di, se si kishin kohë për t’u marrë me neve, kur tifozët e Trepçës vazhdimisht kanë sharë, kanë fyer në secilën mënyrë, kane pështyer lojtarët tanë, trajnerin tonë dhe çuditërisht policia s’merret me ta, merret me 10 veta nga mysafirët, nuk e kuptoj pse?

Dua të falenderoj kryesinë e Trepçës, sepse na kanë pritur dhe na kanë përcjellë mirë, por sjelljet e disa policëve dhe disa sjellje aty të anëtarëve të sigurimit privat, kanë qenë katastrofale.

Nuk e di si ta shpjegoj, mjafton me tregu që e kanë sulmuar njërin nga lojtarët tanë. Një anëtar i sigurimit ka qene, e ka goditur bankinën dhe polici ka tentuar ta thyej bankinën dhe ta arrestojë Arti Hajdarin, gjatë pushimit (time-out) kryesor të ndeshjes.

Ajo që dua të cek në fund, është se gjitha këto skena të turpshme kanë ndodhur në sy të kryetarit, nënkryetarit, komisionit dhe të gjithë kanë qenë prezentë aty, sidomos sulmi ndaj Art Hajdarit ka ndodhur në pushim (time out) dmth të gjithë kanë qenë të ulur në mes dhe ballë për ballë e kanë parë rastin me sytë e tyre.

Nga ky lajm dua të bëj apel prej Federatës që mbi të gjitha të krijojnë kushte për tu zhvilluar ndeshja. Asgjë tjetër s’po duam, le të hyjnë 5 mijë veta brenda, le të hyjnë 6 mijë policë brenda, thjesht të ketë kushte për lojë, le ta lënë trajnerin tonë të zhvillojë lojën, ta shfrytëzojë pushimin (time out) si duhet e jo mos të lihet trajneri që të ulet te karriga e vete”, ka thënë Burri për AsistiOnline.com

Të dielën zhvillohet ndeshja e dytë e serisë finale mes Trepçës dhe Pejës në palestrën ”Karagaç. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.