Ka kaq edicione që seria finale s’ka shkuar në maksimumin e ndeshjeve…
Prishtinë(AsistiOnline) – Peja dhe Trepça sivjet po takohen në një finale për titull kampioni të Kosovës pas plotë 23 vitesh.
Rivaliteti mes dy ekipeve prej më të vjetrave në Kosovë, po karakterizohet me luftë të madhe për të arritur trofeun e shumëpritur në mesin e tifozërive nga të dyja taboret, shkruan AsistiOnline.com
Seria aktuale mes dy ekipeve qëndron 2-1 me fitore në favorin e mitrovicasve dhe jemi një ndeshje larg arritjes së kulmit dhe maksimumit të asaj se çfarë mund të kemi pritur nga këto dy ekipe.
Hera e fundit kur një finale për titull kampioni në Kosovë shkoi në maksimumin prej 5 ndeshjeve ishte stinori 2015/16, atë kohë ishin takuar në finale, Peja – Sigal Prishtina, për të triumfuar në fund prishtinasit me seri të përgjithshme, humbje 2-3 fitore.
Atë kohë, Prishtina ishte shpallur kampione me në krye Dardan Berishën, derisa kishte në përbërje lojtarë si: Mohammed Abukar, Jason Washburn, Willie Kemp, Andrew Warren etj.
Te Peja atë kohë si lider vendor ishte, pikërisht Drilon Hajrizi që tash luan kundër Pejës e madje në finale, por për ekipin që atë kohë udhëhiqej nga Branimir Paviq, luanin edhe basketbollistë të spikatur si: Nenad Deliq, Ron Boo Davis, Kevin Burwell etj.
Nga ai ekip i stinorit 2015/16 te Peja sot paraqiten përsëri Arti Hajdari, Alban Veseli e Samir Zekiqi.
Në sezonin 2016/17, Prishtina e kishte mposhtur Bashkimin në seri finale 3-1, në sezonin 2017/18, Bashkimi i’a kishte kthyer Prishtinës në të njejtën monedhë 1-3, në sezonin 2018/19, Prishtina e kishte mposhtur në seri finale senzacionin e quajtur Rahovec me seri 3-1, në edicionin 2019/20 garat ishin anuluar shkaku i shpërthimit të pandemisë, në sezonin 2020/21, Ylli e kishte mposhtur Pejën 0-3 në seri finale dhe në në sezonin 2021/22, Ylli e mposhti Trepçën në seri finale 3-1.
Pas shtatë edicioneve, mbetet të shihet sonte se a do të shkojë seria finale kosovare në ndeshjen e pestë dhe maksimumin e rivalitetit sportiv.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.