Basketboll

Përmbysje spektakolare e Olimpiakosit, bëhet finalisti i parë i Euroligës për këtë edicion

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra greke e Olimpiakos është skuadra e parë finaliste e ”Final Four”-it të Euroligës për këtë edicion.

Ekipi nga Pireausi i Greqisë triumfoi në gjysmëfinale ndaj skuadrës franceze Monaco 76-62.

Pjesa e parë foli në tërësi të ekipit të Monacos që e fitoi atë 29-41, por në pjesën e dytë ekipi i Olimpiakos ndezi ‘motorët’ dhe riktheu komplet ndeshjen, duke bërë që Monaco të duket ekip i humbur në parket.

Çereku i tretë ishte fatal për skuadrën e Sasha Obradoviq që në këtë periodë, besoni apo jo, shënoi vetëm 2 pikë dhe natyrisht që një thatësi e tillë pikësh s’mbahet mend në një ”Final Four” apo sezon të rregullt të Euroligës dhe do të mbetet njollë e zezë në këtë kompeticion ndoshta për vite të tëra.

Bullgari, Sazha Vezenkov, njëherazit MVP i stinorit të rregullt në Euroligë, ishte edhe sot më i miri te ekipi grek në këtë fitore tepër të vlefshme me 19 pikë, por shtuar edhe 6 kërcime e 3 asiste, gjersa mori ndihmë edhe nga kapiteni i ekipit dhe veterani, Kostas Papanikolau me 15 pikë e Moustapha Fall me 12 sosh.

Në anën tjetër te Monaco s’mjaftuan për fitore, Mike James e Elie Okobo me nga 17 pikë secili.

Me këtë fitore, Olimpiakosi arrin finalen e madhe të Euroligës, ku do të ndeshet me fituesin e super-duelit apo El Clasicos, Barcelona – Real Madrid e cila fillon sonte nga ora 20:00.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.