Kosova pritet të nis përgatitjet më 1 korrik, menaxheri i ekipit jep detajet e grumbullimit
Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës A në konkurencën e meshkujve, në muajin korrik do ta fillojë turin e parakualifikimeve për Eurobasket 2025.
Para pak ditësh, drejtuesit e FBK-së e prezantuan selektorin e ri të ekipit, Rami Hadar me të cilin njoftuan se kanë nënshkruar bashkëpunim 3 vjeçar.
Menaxheri i Përfaqësuses së Kosovës, Adriak Rraci për AsistiOnline.com ka dhënë detaje rreth këtij grumbullimi i cili pritet të nis nga fillimi i muajit korrik.
”Data definitive e grumbullimit pritet të konfirmohet në ditët në vazhdim, por sipas diskutimeve paraprake pritet të ndodhë më datën 1 Korrik 2023. Mirëpo para grumbullimit ne do të sjellim trajnerin kondicional nga Turqia i cili do të vijë në Kosovë më datën 15 Qershor (rreth 2 javë para grumbullimit) dhe në koordinim me kryetrajnerin Rami Hadar do të fillojë punën me lojtarët që e kanë përfunduar sezonën më herët dhe poashtu me lojtarët që kanë pasur probleme fizike.
Rraci foli edhe rreth listës së lojtarëve dhe ftesat e tyre për grumbullim, duke njoftuar se kush prej lojtarëve do të ftohet, listimi do të shpallet me 10 qershor.
”Sa i përket listës së lojtarëve dhe kush do të ftohet në këtë grumbullim, stafi teknik do të vendos për të gjithë lojtarët që kanë të drejtë të luajnë për Kosovën, duke përfshirë këtu edhe lojtarin/ët që do të tentojmë ti natyralizojmë. Lista përfundimtare pritet të shpallet me datën 10 Qershor 2023”, theksoi Rraci për AsistiOnline.com
Të kujtojmë se në rrethin e tretë parakualifikues për EuroBasket 2025, dardanët janë në grup me Zvicrën dhe Danimarkën, ndërsa vetëm vendi i parë kualifikohet tutje.
Si selektor i Kosovës ditë më parë u prezantua, Rami Hadar i cili sivjet u shpall kampion i Kosovës me klubin e Pejës dhe do të ketë në staf ndihmës-trajnerët: Bujar Loci, Ilir Selmani, Dritëro Sefaja, Andin Rashica, Mehmet Uğur – Trajner kondicional.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.