Basketboll

Luftë e madhe e Kosovës, mposhtet në momentet e fundit nga Danimarka

Prishtinë(Asistionline) – Kosova e ka humbur në sekondat e fundit duelin ndaj Danimarkës.

Ekipi kombëtar A i vendit tonë pësoi sonte nga Danimarka me rezultat të ngushtë 82-75, shkruan AsistiOnline.com

Danezët e nisën për mrekulli takimin duke fituar çerekun e parë 27-16 dhe Kosova mbahej me tri treshet e Musab Malës që realizoi 3 shënime nga 3 tentime, derisa në periodën e dytë, ekipi ynë u tregua mëse fantastik dhe fitoi atë (17-27) e pjesa e parë u mbyll me vetëm 1 pikë dallim 44-43.

Në pjesën e dytë, vazhdoi lufta e madhe me vendasit danezë që fituan çerekun e tretë ngushtë (25-22), përfshirë edhe periodën e fundit dhe vendimtare me dallim të njejtë (13-10), kësisoj iu gëzuan fitores me 7 pikë dallim.

Natyrisht që me këtë rezultat, Kosova do të ketë gjasa të mira në Prishtinë që të triumfojë me më shumë dallim dhe ta kalojë grupin. Ndërsa, duhet cekur se sonte edhe referimi i ndeshjes ishte tejet kontraverz me disa vendime të padrejta të gjyqtarëve, por le të mbetet në ndërgjegjjen e tyre.

Dominic Artis me 23 pikë, 4 kërcime, 4 asiste e 3 vjedhje topash, ishte më i dalluari te Kosova sonte, 13 pikë kishte Dardan Berisha, Musab Mala shtoi 11 e Erjon Kastrati kontribuoi me 10 sosh.

Te Danimarka në fitore spikatën, Iffe Lundberg me 20 pikë e Jonas Zohore me 19 sosh.

Duelin e tretë në këto parakualifikime, Kosova e zhvillon pas tre ditësh në udhëtim te Zvicra dhe në duelin e fundit të grupit e pret Danimarkën me 5 gusht në Prizren.

Kosova, aktualisht gjendet e dyta në grup me 1 fitore e 1 humbje, Danimarka ka 2 fitore nga 2 ndeshje dhe Zvicra mbetet pa asnjë fitore nga dy ndeshjet e deritanishme. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.