A do të kemi Ligë Unike sivjet? përgjigjet sekretarja e FBK-së Elvira Dushku
Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, edicionin e kaluar pati probleme të dukshme në funksionimin e saj.
Në fakt, problemet dolën nga kampi i Federatës Shqiptare të Basketbollit, pasi klubet e meshkujve atje, hezitonin ti zhvillonin garat dhe kështu ato u pezulluan.
Te femrat gjithçka shkoi mirë dhe nuk është se pati ankesa rreth sistemit të garave apo problemeve tjera teknike.
Por, si po shkojnë gjërat sivjet dhe çfarë kemi risi nga Liga Unike, lidhur me këto çështje për AsistiOnline.com ka folur anëtarja e bordit të Ligës Unike dhe njëherazit sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
”Lidhur me edicionin e ri së shpejti pritet ta kemi një takim me krerët e FSHB-së për të diskutuar për ecurinë e mëtutjeshme të ligës dhe do të vendosim aty”.
Përkundër problemeve me konkurrencën e meshkujve në stinorin e kaluar, Dushku beson se sivjet do të kemi Ligën Unike përsëri, vetëm se do të zgjedhjet një format sa më i përshtatshëm në bashkëpunim me klubet.
”Besoj se ligë do të kemi, por varet se në cfarë formati do ta kemi. Do të vendoset edhe për këtë pas takimit me FSHB-në, por edhe me klubet, sepse ne duhet të dëgjojmë edhe zërin e klubeve tona dhe atyre nga Shqipëria”, thotë Dushku.
Sipas vendimit të fundit të bordit të Federatës Shiqptare të Basketbollit, Liga Unike për ekipet e atjeshme është bërë e detyrueshme, por duket se çështja në Kosovë qëndron ndryshe dhe nga FBK-ja thonë se vendimet i marrin së bashku me klubet.
”FBK cdo vendim e merr në koordinim me klubet sepse qëllimi ynë është që të zhvillohen klubet tona, lojtarët/et, andaj në koordinim me klubet do të vendosim edhe për ligën në tërësi se si do të veprojmë”.
Sipas sekretares së FBK-së, për ediconin e ri të garave në Ligën Unike nuk është biseduar ende, por klubet kosovare janë të kënaqura dhe se ankesa e vetme në edicionin e kaluar te femrat ka qenë lidhur me një rregull rreth lojtareve të huaja që nga ekipet shqiptare luajnë me numër të pakufizuar të tyre.
”Sa i përket edicionit të ri ende nuk kemi biseduar, në konkurrencën e femrave ekipet tona kanë qenë të kënaqura, ku të vetmen ankesë e kanë pasur numrin e pakufizuar të lojtareve të huaja që kanë mundur ti angazhojnë ekipet shqiptare, ndërsa tani me sa kam dëgjuar ky numër është kufizuar në 3 në të dyja konkurrencat. Gjithsesi se duhet takuar dhe dëgjuar së pari ekipet dhe më pastaj të vendoset se cfarë më tutje”, thotë anëtarja e bordit të Ligës Unike.
Numri dy i FBK-së, ka besim të madh se sivjet Liga Unike te meshkujt nuk do të dështojë, duke insistuar se projekti do të vazhdojë.
”Do të punojmë të gjithë se bashku, pra me FSHB-në, me klubet nga të dyja anët e kufirit dhe me grupe të tjera të interesit që të mos dështojë ky projekt”, shtoi në fund Dushku. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.