Në Prishtinë para tri dekadave ishte themeluar Shkolla e parë private e basketbollit në Kosovë (FOTO)
Prishtinë(AsistiOnline) – Historia e basketbollit kosovar është tejet e vjetër dhe e bujshme dhe jo rastësisht është prej sporteve më masive dhe më të shikuara në vend.
Përpos klubit prizrenas, Bashkimi i cili është krijuar para afro 80 vitesh dhe njihet si klubi më i vjetër i basketbolit në Kosovë, në Prishtinë gjatë viteve të paraluftës ishte krijuar edhe shkolla e parë e basketbollit në Kosovë.
Ish-basketbollisti dhe tash gazetari i sportit e komentatori i njohur i basketbollit në vend, Agon Fehmiu së bashku me babain e tij të ndjerë prof.Arsim Fehmiu, kishin krijuar shkollën e parë private të basketbollit e quajtur “A.A.F.5” (Agon Arsim Fehmiu nr.5 numri i fanellës).
Kjo shkollë private e basketbollit ishte themeluar me 2 Maj të vitit 1994 në Prishtinë me stërvitje të zhvilluara në Shkollën fillore ”Dardania” me trajner Agon Fehmiun dhe mbikqyrës prof.Arsim Fehmiu, kjo shkollë e basketbollit lirisht mund të thuhet se ishte çerdhe dhe burim i talentëve dhe emrave të njohur të basketbollit që më vonë kontribuuan për dekada me rradhë dhe edhe më tutje vazhdojnë të punojnë në sportin që e duam shumë.
Vlen të ceket se në këtë shkollë të basketbollit e quajtur ”AAF5” ishin shkolluar dhe edukuar jo vetëm sportistë, por më vonë edhe personalitete kosovare në të tjera fusha.
Disa prej emrave që ishin zhvilluar si basketbollistë tek kjo shkollë ishin: Blerand Stavileci (kryetar i KB Prishtina), Astrit Leti, Burim Maraj (ish kryetar i KB Prishtina), Arben Fetahu, Ardian Ymeri, Edmond Azemi (ikonë e KB Prishtina), Vigan Sylejmani, Dardan Sejdiu (politikan), Baton Murati, Albert Sylejmani ( tash trajner basketbolli) dhe Agon Sylejmani (Agon Amiga – këngëtar i njohur), Valon Syla (gazetar e analist), Labinot e Lis Cërrabregu, Flon Bajraktari, Valon Xharra, Visar Beqiri, Besnik Sokoli, Dastid Pallaska (avokat), Dren Maliqi , e shumë e shumë emra tjerë.
Komentet janë të mbyllura.