Basketboll

Njeriu që bëri histori me Bashkimin, do të emërohet selektor i Kosovës te femrat

Prishtinë(AsistiOnline) – Trajneri i mirënjohur kroat, Viktor Kovaq pritet të emërohet selektor i Përfaqësueses së Kosovës A te femrat.

Njeriu që s’po di të ndalet me suksese nën drejtimin e Bashkimit të Prizrenit, qartë ka tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të Federatës së Basketbollit të Kosovës të cilët duket se kanë vendosur ta emërojnë në krye të Kosovës.

Kovaq është një emër i njohur i basketbollit në Kroaci, pasi përveç ekipeve të atjeshme që ka drejtuar, ka qenë edhe selektor i Kroacisë A te femrat, si dhe kombëtareve të reja kroate te meshkujt dhe femrat.

Ai ka marrë drejtimin e Bashkimit në verën e vitit 2023 dhe ende pa u bërë dy vite të plota ka fituar gjashtë trofe me Bashkimin, duke kompletuar dy tripleta të trofeve, gjë të cilën asnjë trajner më parë s’ka arritur ta bëjë në Kosovë, madje as te meshkujt.

Kovaq ka marrë zemrat e tifozëve nga Prizreni dhe jo vetëm, derisa lojtaret kanë shprehur lavdata të mëdha për punën e jashtëzakonshme që ai bën me skuadrën. Madje, ka qenë vetë kapitenia e ekipit të Bashkimit, ajo që në Asist pati treguar se është e fascinuar me punën e trajnerit kroat i cili ka një CV  të pasur si drejtues ekipesh në shtetin prej nga vjen, atje ku basketbolli është sport popullor dhe njihen për të.

Muhadri e fascinuar me punën e trajnerit Kovaq te KBF Bashkimi, shprehet me fjalë të mëdha për të

Kosova te femrat sivjet pritet të organizojë Kampionatin Evropian për shtetet në zhvillim dhe i cili do të mbahet në Prishtinë, derisa Kovaq mbrëmë pas stolisjes me trofe të titullit kampion me Bashkimin, e konfirmoi në njëfarë mënyre se pritet të marrë drejtimin e vashave Dardane, megjithëse e pranoi se e pret punë e madhe, por beson në rezultate të mira me angazhimin e të gjithëve.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.