Rivali i Pejës në grupe, Chemnitzi i Gjermanisë kampion në FIBA Europe Cup
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra gjermane, Niners Chemnitz është fituese e turneut prestigjioz evropian të basketbollit, FIBA Europe Cup.
Ekipi i Chemnitz e ka fituar trofeun e çmuar evropian pas koshaverazhit më të mirë në dy ndeshjet ndaj ekipit turk, Bahçesehir Koleji.
Ndeshja e parë në Gjermani kishte përfunduar me fitore të Chemnitzit 85-74, derisa ajo sot u mbyll pas vazhdimeve 105-95 për ekipin turk dhe për një pikë më tepër nga dy ndeshjet, fitorja dhe trofeu i takuan Chemnitzit.
Të kujtojmë se Chemnitzi në grupet e këtij kompeticioni sivjet ishte kundërshtar i ekipit tonë kosovar, Pejës dhe arriti ta mposht klubin verdhezi në të dyja ndeshjet.
Chemnitzi sivjet është në top formë edhe në Bundesligën e fortë gjermane, atje ku bëjnë pjesë dy ekipet Bayerni i Mynihut dhe Alba e Berlinit që luajnë prej vitesh rregullisht në Euroligë.
Vlen të ceket se para 3 vitesh ekipi gjerman hyri për herë të parë nga Liga e parë në Bundesligën e Gjermanisë dhe sot fitoi trofeun e parë në histori të klubit.
Përpos Pejës, sivjet në grupet e FIBA Europe Cup luajti edhe ekipi tjetër kosovar, Trepça që kishte fituar turneun kualifikues në Estoni ndaj Parnus dhe Tindastollit dhe kishte arritur fazën grupore e që më pas ishte eliminuar.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.