Basketboll

TREPÇA TË PESTËN APO GOLDEN EAGLE YLLI TË TRETËN ?

Tregimi i bukur i Prince Cafe Superligës në basketboll i cili filloi me 22 Shtator 2023 pas aventurës tetë mujore ka ardhur në kulmin e vet, ndeshjen e pestë finale.

Aq shumë ndeshje të bukura, beteja interesante dhe drama fantastike basketbollistike epilogun e vet do ta marrin të enjten mbrëma në Minatori.

Çdo gjë është e barabartë, Trepça dhe Golden Eagle Ylli kanë nga dy fitore secila dhe atë duke triumfuar secila në shtëpi të vet.

Kanë mbetur vetëm edhe 40 minuta të spektaklit final për sivjet para se ta mësojmë emrin e kampionit të ri të Kosovës në basketboll: Trepça për herë të pestë në histori dhe titullin e parë pas plot 12 viteve apo Golden Eagle Ylli do të shpallet kampion për herë të tretë në këto katër vitet e fundit.

Ishte pikërisht Golden Eagle Ylli ai që parvjet ia mohoi titullin e kampionit Trepçës duke e mposhtur me 3:1 në finale dhe duke u stolis me titullin e dytë rresht në histori të basketbollit të pavarur kosovar dhe klubit në përgjithësi.

Finalja e sivjetme midis Trepçës dhe Yllit është reprizë e finales së parvjetme ndërmjet dy prej skuadrave më të suksesshme kosovare, Trepçës e cila ka 4 tituj të fituar në basketbollin e pavarur kosovar që nga edicioni 1991/92 me titullin e parë të fituar në edicionin 1992/93, pastaj dy herë rresht menjëherë pas luftës 1999/2000 dhe 2000/01 ndërsa së fundmi, për herë të katërt mitrovicasit u bënë kampion në vitin 2012. Nga ana tjetër kemi Golden Eagle Yllin i cili shkëlqeu në elitën e basketbollit kosovar dy herë rresht duke u shpall kampion në edicionet 2020/21 dhe 201/22.

Përndryshe, Trepça edhe vjet ishte në finale ku pas një trileri dhe drame në pesë ndeshje ku ndeshja e pestë dhe vendimtare shkoj në vazhdime dhe qendra Bred Ëaldou me koshin e tij tashmë antologjik në sekondën e fundit i solli Pejës titullin e kampionit pas plot një dekade duke e mposhtur Trepçën para publikut të vet.

Për mitrovicasit është kjo finalja e tretë rresht dhe për herë të tretë radhazi ndeshjet vendimtare po zhvillohen në Minatori.

A do të jetë e treta e vërteta për Trepçën dhe a do ta thyej mallkimin e ndeshjes vendimtare finale para publikut të vetë duke e kthyer titullin në Minatori pas 12 vjetëve apo Golden Eagle Ylli do të përsërit suksesin e parvjetmë dhe të stoliset me titullin e tretë në katër vitet e fundit dhe të tretin në histori të klubit, kjo mbetet të shihet.

Epilogun do ta mësojmë të enjten mbrëma në betejën finale e cila fillon nga ora 19 në Minatori

     

Komentet janë të mbyllura.