Basketboll

Trepça mbyll sezonin më të suksesshëm në historinë e saj, sivjet fitoi çdo trofe që i doli përpara

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça mbrëmë e fitoi titullin e kampionit të Kosovës për stinorin 2023/24.

Ishte ky trofeu i parë i titullit kampion pas 12 vitesh për mitrovicasit, pasi të fundit e kishin fituar në vitin 2012, duke bërë që sërisht të ktheheet në Mitrovicë trofeu më i çmuar i basketbollit kosovar.

Ishte ky një sezon spektakolar i Trepçës së minatorëve, pasi fitoi çdo trofe të mundshëm me gjithsejt 4 prej tyre, duke triumfuar pothuajse në të gjitha garat ku bëri pjesë, përveç garave evropiane ku edhe aty patën sukses, pasi fituan turneun kualifikues e më pas në grupe nuk arritën të kalojnë tutje.

E fitimi i trofeve nisi me Superkupën e Kosovës në Suharekë, duke mposhtur në finale skuadrën e Pejës, për të vazhduar më pas me Kupën e Kosovës në Gjakovë ku e mposhti Prishtinën, e për ta fituar edhe Ligën Unike në Vlorë ku e mposhti Prishtinën dhe e përfundoi mbrëmë në folenë e vet me fitimin e titullit kampion, ku e mposhti Yllin e Therandës.

Me këtë trofe, Trepça bëhet klubi i dytë më i trofeshëm i basketbollit kosovar, pasi tash numëron gjithsejt 16 trofe e në vendin e tretë gjendet Peja me 15 trofe.

Një sezon të tillë kaq të suksesshëm, tifozët e Trepçës nuk e mbajnë në mend dhe natyrisht që është më i miri në historinë e saj.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.