Prishtinë(AsistiOnline) – Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), ka pasur një rritje të konsiderueshme të buxhetit të saj vit pas viti, duke reflektuar kështu rëndësinë e këtij sporti në vendin tonë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kjo rritje e buxhetit të FBK-së, duket se ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme nga drejtuesit e saj për të përmirësuar infrastrukturën, trajnimet e trajnerëve dhe lojtarëve, si dhe për të promovuar basketbollin si një sport kyç në Kosovë, shkruan AsistiOnline.com
Një mbështetje të madhe financiare për FBK-në, AsistiOnline.com ka mësuar se e ka dhënë Ministria e Sportit që ka ndihmuar institucionin kryesor të basketbollit kosovar për këtë vit me mbi 600 mijë euro. Derisa mbështetja më e madhe vjen nga sponsorizimet e ndryshme dhe FBK mësohet të inkasojë mbi 1 milion euro. Nga organizimet e ndryshme të garave të FIBA-s dhe përfitimet nga kjo e fundit, AsistiOnline.com ka mësuar se ky institucion ka inkasuar gati 300 mijë euro.
AsistiOnline.com ka arritur të mësojë në total shifrën e buxhetit të FBK-së për vitin 2024 e që është rreth 2 milionë e 700 mijë euro, ku krahasuar me vitet paraprake, buxheti i FBK-së nga viti në vit është ngritur dukshëm. Pasi në vitin 2022, FBK-ja kishte pasur buxhet prej rreth 1 milion e 300 mijë euro, e në vitin 2023 buxheti u ngrit në 2 milionë e 152 mijë euro, për tu pasuar me vitin 2024, ku ai u ngrit edhe për disa mijëra euro.
Sipas raportit të FBK-së për vitin 2024, shpenzimet më të mëdha janë ato operative dhe logjistike për organizimin e të gjitha ligave që kapin shifrën e mbi 500 mijë euro apo rreth 24% e buxhetit total. Në vendin e dytë të shpenzimeve të FBK-së për këtë vit është paraparë të jetë organizimi i FIBA Kampionateve Evropiane me rreth 470 mijë euro, derisa në vendin e tretë të shpenzimeve mësohet të jenë pagat për stafin e FBK-së dhe Përfaqësueset seniore të Kosovës që të dyja me nga mbi 200 mijë euro ndarazi shpenzime.
Në udhëtime zyrtare, FBK mësohet të shpenzojë afro 11 mijë e 300 euro, që krahasuar me shpenzimet e tjera është një shumë më e vogël. Shpenzime relativisht të larta, FBK-ja mësohet të ketë për shpenzimet e zyrës me rreth 113 mijë euro.
Në vitet e fundit, buxheti i FBK-së shihet qartë se është rritur me ritme të shpejta, derisa mësohet se pikërisht kjo ka mundësuar që Federata të organizojë më shumë gara kombëtare dhe ndërkombëtare në vendin tonë.
Megjithatë, për të vlerësuar nëse këto fonde kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e basketbollit dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj, do të ishte e nevojshme të analizoheshin rezultate konkrete, si performanca e ekipeve kombëtare dhe klubeve, numri i lojtarëve të rinj që janë aktivizuar, dhe suksesi i tyre në arenën ndërkombëtare. /AsistiOnline.com/


