KB Drita është shuar? po i humb ndeshjet me rezultat zyrtar
Klubi i basketbollit Drita, një ndër emrat me historinë më të gjatë në basketbollin kosovar, këtë vit ka shënuar një moment tragjik në rrugëtimin e vetë. Për herë të parë në histori, ky klub nuk ka arritur të mbledhë forcat e nevojshme për të garuar qoftë edheë në Ligën e Dytë, duke shënuar humbje deri tani në të gjitha ndeshjeve me rezultat zyrtar 20-0. Një zhvillim i tillë ka lënë tifozët dhe dashamirët e klubit në një gjendje zhgënjimi të thellë.
Në fillim të këtij sezoni, entuziazmi ishte i madh. Klubi kishte paralajmëruar investime të reja, dhe madje u bë një prezantim zyrtar i një investitori që pretendonte se kishte privatizuar klubin. Ky investitor, sipas deklaratave të para, kishte ambicie për ta kthyer Dritën në nivele të larta të basketbollit kosovar. Megjithatë, këto premtime mbetën vetëm fjalë.
Mungesa e veprimeve konkrete nga ana e këtij investitori dhe e drejtuesve të klubit ka sjellë një situatë kaotike. Në vend të rikthimit të shkëlqimit të dikurshëm, KB Drita po përballet me rrezikun e shuarjes totale. Dyshimet për keqmenaxhim ose mosseriozitet thellohen nga mungesa e plotë e transparencës dhe komunikimit nga ana e klubit.
Kur kanë kaluar tashmë shtatë xhiro në Ligën e Dytë, të gjitha ndeshjet e Dritës janë regjistruar me rezultat zyrtar 0-20, duke nënkuptuar mungesën totale të ekipit në parket. Asnjë njoftim zyrtar nga drejtuesit e klubit nuk ka sqaruar situatën, duke e bërë të paqartë të ardhmen e Dritës.
Nëse kjo situatë vazhdon, është e pashmangshme që klubi të shuhet plotësisht, duke lënë një boshllëk të madh në skenën sportive të Kosovës. Realisht, komuniteti dhe tifozët meritojnë përgjigje dhe veprime konkrete, përpara se të jetë tepër vonë për të shpëtuar një klub që ka pasur një histori të pasur dhe me vlerë për basketbollin kosovar.
Le të shpresojmë që KB Drita të mos bëhet një tjetër shembull i humbjes së një tradite të çmuar për shkak të mosmbështetjes dhe keqmenaxhimit.
Komentet janë të mbyllura.