Lëvizjet në basketbollin kosovar femëror: Përforcime dhe ambicie për trofe
Afati kalimtar i janarit ka sjellë lëvizje të rëndësishme në basketbollin kosovar femëror, duke shfaqur ambiciet e ekipeve për të arritur synimet e tyre në pjesën e dytë të sezonit.
Dy ekipet kryesore, Bashkimi dhe Peja 03, janë qenë qendra e vëmendjes, ndërsa edhe ekipet e tjera kanë bërë ndryshime të rëndësishme, shkruan AsistiOnline.com
Kampioni aktual, Bashkimi, ka shtuar dy emra të rëndësishëm në radhët e veta. Alo-qendra Adrienne Godbold, amerikano-kosovarja e natyralizuar dhe një lojtare e mirënjohur tashmë në Kosovë, është rikthyer te skuadra për të kontribuar me përvojën e madhe të saj. Për më tepër, Bashkimi ka siguruar shërbimet e një amerikane tjetër, Brittany Byrd, që pritet të sjellë energji të rëndësishme në ndeshjet e prizrenaseve. Me këto përforcime, Bashkimi synon të mbrojë titullin për herë të katërt radhazi, duke përforcuar statusin e tij si skuadra më e fuqishme në dekadën e fundit në basketbollin kosovar..
Skuadra më aktive gjatë këtij afati kalimtar ka qenë pa dyshim Peja 03. Pas eliminimit nga Kupa e Kosovës, klubi pejan ka marrë masa për të përmirësuar përbërjen e skuadrës dhe për të ndjekur titullin kampion për herë të parë në historinë e klubit.
Lëvizja e parë ishte ndryshimi i stafit teknik, duke emëruar një trajner të ri turk, i cili pritet të sjellë një qasje. Peja 03 ka bërë disa transferime të rëndësishme. Qendra e njohur vendore dhe një prej më të mirave në dekadën e fundit, Saranda Daci është rikthyer në ekip. Gjithashtu, amerikano-kosovarja Alexis Tolefree është shtuar në radhët e ekipit pejan për të sjellë përvojë dhe bërë dallimin.
Përforcimet më të bujshme të Pejës vijnë nga kolegjet amerikane: Daja Woodard dhe Juicy Landrum janë dy amerikane të reja që sipas klubit pritet të bëjnë diferencën në fushë. Me një përbërje të tillë, Peja 03 po synon të sfidojë seriozisht Bashkimin për titullin kampion dhe të shkruajë histori.
Junior 06 Moni Bau ka transferuar qendrën vendore Anita Grainca, një lojtare me potencial për të forcuar repartin e mbrojtjes. Ndërkohë, Penza ka rikthyer në ekip Tringa Ukajn, duke rritur opsionet e saj në rotacion.
Trepça dhe Prishtina nuk kanë prezantuar ndonjë ardhje. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.