Under Header

spot_img

Kosova U20 me trajner të ri – Rashica: Synojmë ta përgatisim gjeneratën e ardhshme të Kombëtares A

spot_img

Prishtinë(AsistiOnline) – Në një nga fazat më të rëndësishme të zhvillimit të një basketbollisti, Kosova U20 këtë vit do të udhëhiqet nga një emër i ri, i njohur, por edhe shumë premtues për basketbollin tonë – Andin Rashica.

I formuar si trajner për vite me radhë në Prishtina, por edhe me përvojë si ndihmës-trajner në klubin turk Manisa, ku është paraqitur edhe në Ligën e Kampionëve, Rashica për herë të parë merr drejtimin e një Përfaqësuese si trajner kryesor.

“Së pari dua ta falënderoj FBK-në për besimin e dhënë. Në momentin e parë që jam kontaktuar nga Drejtori i Përfaqësueses, z. Rraci, për të qenë kryetrajner i grupmoshës U20, e kam pranuar menjëherë. Nder, privilegj për të marrë këtë përgjegjësi dhe shumë i motivuar njëkohësisht”, tregon Rashica për fillimin e këtij rrugëtimi të ri në intervistën e dhënë për AsistiOnline.com

Ekipi që do të drejtojë është përplot energji dhe potencial. Një grup djemsh që për herë të parë bashkohen për të përfaqësuar Kosovën në këtë grupmoshë, shumica prej të cilëve po formohen në skuadrat vendore.

“Është një grup shumë i mirë i lojtarëve, djem fantastikë. Kam biseduar pothuajse me secilin, sidomos me lojtarët që gjenden në Kosovë. Sfida kryesore do të jetë që këta djem të mësohen si të përfaqësojnë Kosovën dhe që, kur të vijë dita të jenë pjesë e Përfaqësueses A, të dinë çfarë peshe ka fanella e Kosovës”, shprehet ai.

Rashica i kushton rëndësi të veçantë edhe lojtarëve që veprojnë jashtë vendit. Me përvojën e një njeriu që ka punuar me trajnerë evropianë dhe që vjen nga një shkollë moderne e basketbollit, ai e kupton rëndësinë e përfshirjes së tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Jam shumë i lumtur për punën që bën Federata e Basketbollit për t’i mbajtur sa më afër Përfaqësueses lojtarët/et që luajnë jashtë Kosovës. Në ditët në vijim do të bisedoj me secilin që do të ketë mundësinë të jetë pjesë e U20. Secili prej tyre do të jetë pjesë e rëndësishme dhe do të mundohem bashkë me stafin e trajnerëve që cilësitë e tyre t’i bëjmë pjesë të sistemit të lojës.”

E gjithë kjo qasje profesionale nuk do të mungojë as gjatë punës së përditshme me skuadrën. Rashica është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka trajtimi i duhur i një grupi në këtë fazë të ndjeshme të zhvillimit.

“Këta djem do të kenë trajtim profesional si prej meje, po ashtu edhe nga udhëheqësit e Përfaqësueses. Është moshë shumë e ndjeshme, në të cilën duhet pasur shumë kujdes sidomos në aspektin e qasjes dhe komunikimit. Mirëpo do të ekzistojë motivimi i duhur që të rritet kualiteti te ky grup i lojtarëve.”

Përtej rezultateve, për trajnerin Rashica, ky është një mision që lidhet drejtpërdrejt me ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për basketbollin në Kosovë. Kjo nuk mund të arrihet pa përfshirje të gjerë të komunitetit të basketbollit.

“E rëndësishme për zhvillimin e basketbollit kosovar është: shkollimi i trajnerëve, referëve dhe kriteret për licencim të shkollave të basketbollit. Secili trajner i ri mund të vijë me i përcjell stërvitjet gjatë fazës përgatitore, po ashtu edhe referët e rinj mund të jenë pjesë e seancave stërvitore.”

Duke pasur parasysh grupin e fortë ku ndodhet Kosova – me kundërshtarë që do ti ketë përballë, ai thotë nuk do të jetë e lehtë, por përgatitjet do të jenë serioze.

 

“Kemi një grup shumë të fortë: Turqia, Suedia, Hungaria dhe Shqipëria. Për secilën ndeshje lojtarët do të jenë të gatshëm dhe të motivuar ta përfaqësojnë Kosovën.”

Në fund, Rashica nuk harron të përmendë që përkrahja e stafit, përkushtimi dhe komunikimi i drejtë do të jenë thelbësore që kjo përfaqësuese të jetë bazë e fortë për të ardhmen.

“Bashkë me Endritin, Egzonin, po edhe me pjesën tjetër të stafit, do ta shfaqim dëshirën dhe përkushtimin për ata djem, që një ditë secili prej tyre ta meritojë të jetë pjesë e Përfaqësueses A.”, mbyll intervistën për AsistiOnline.com, trajneri Rashica.

/AsistiOnline.com/

 

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme