Basketboll

Peja e fiton duelin e parë çerekfinal ndaj Yllit

Peja ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të play-offit ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 77:71, në një përballje që u ndërpre për rreth 45 minuta për shkak të tensioneve në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 17-të pas fyerjeve dhe hedhjeve të gjësendeve në parket.

Një gjest provokues i Benas Griciunas u pasua nga një reagim i dhunshëm nga tribuna, ku një tifoz gjuajti me karrige në drejtim të lojtarëve të Pejës. Në atë moment, rezultati ishte 36:31 për Pejën.

Pas ndërprerjes, ndeshja vazhdoi me tribunat pjesërisht të zbrazura. Peja shkoi në pushim me epërsi 48:41 dhe, ndonëse Ylli barazoi shifrat në 56:56 në çerekun e tretë, pejanët rikthyen avantazhin dhe e mbyllën ndeshjen me fitore me rezultat 77:71.

Më i dalluari te Peja ishte Griciunas me 17 pikë e 12 kërcime, ndërsa u ndihmua nga Marquez Towns me 14 pikë dhe nëntë asistime.

Për Yllin, Jan Palokaj shënoi 22 pikë, ndërsa Lis Shoshi regjistroi një dyshe të dyfishtë me 15 pikë e 14 kërcime – por nuk mjaftoi.

Peja ka nevojë për edhe një fitore për të kaluar në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesin e çiftit Bashkimi – Trepça. Ndeshja e dytë ndaj Yllit luhet të dielën në “Karagaçi”.

Ndërkohë, të mërkurën, Sigal Prishtina mposhti Vëllaznimin me 71:69 në ndeshjen tjetër çerekfinale dhe nëse fiton sërish, do të përballet me Trepçën në gjysmëfinale.

Komentet janë të mbyllura.