FBK publikon vendimet pas incidenteve në Suharekë, Ylli pezullohet 3 ndeshje me pezullim të terrenit vendas
Ndeshja e parë çerekfinale e “play-off”-it në Superligën e Kosovës në basketboll mes KB Golden Eagle Ylli dhe KB Peja, e zhvilluar në Suharekë, është shoqëruar me shumë tensione dhe incidente brenda dhe jashtë fushës, të cilat kanë çuar në një listë të gjatë dënimesh për palët e përfshira.
Klubi i Yllit ka marrë dënimin më të rëndë – pezullim të terrenit për tri ndeshje, që nënkupton zhvillimin e ndeshjeve të ardhshme jashtë terrenit vendas dhe pa praninë e publikut. Ky vendim është marrë në bazë të nenit 52.24 të Propozicioneve të Garave.
Përveç kësaj, ndaj Yllit janë shqiptuar edhe gjoba të tjera:
- Egzon Fetiu, zyrtar i klubit të Yllit, është dënuar me 1000 euro dhe një ndeshje pezullim nga aktiviteti (neni 52.13).
- Klubi është gjobitur me:
- 500€ sipas nenit 50.6,
- 500€ sipas nenit 51.4,
- 700€ sipas nenit 51.5,
- 700€ sipas nenit 51.6.
Ndëshkim ka marrë edhe lojtari i Pejës, Benas Griciunas, me 200 euro gjobë për sjellje të papërshtatshme (neni 52.10).
Po ashtu, vëzhguesi i ndeshjes, Lulzim Maloku, është ndëshkuar me dy ndeshje mos delegim për shkak të moszbatimit të rregullave zyrtare të lojës, sipas nenit 53.11.
Këto dënime vijnë pas një atmosfere të rënduar në Suharekë, ku përveç përplasjes sportive, pati ndërprerje të ndeshjes dhe sjellje të papërshtatshme nga tribuna. Me pezullimin e fushës për tri ndeshje, Ylli do ta ketë shumë më të vështirë rrugën drejt gjysmëfinales, duke humbur përkohësisht përkrahjen e publikut vendas.
Komentet janë të mbyllura.