Ekskluzive: Gjyqtarë të huaj për gjysmëfinale dhe finale?
Prishtinë(AsistiOnline) – Gjyqtarët e huaj pritet të rikthehen për fazën vendimtare të kampionatit në basketbollin elitar kosovar.
AsistiOnline.com ka mësuar ekskluzivisht se Federata e Basketbollit të Kosovës ka vendosur që në ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të “Play-Off”-it të Superligës së Kosovës të angazhojë gjyqtarë të huaj.
Ky vendim sipas burimeve tona, është marrë pas kërkesave të vazhdueshme nga disa klube dhe për të garantuar një nivel sa më të lartë të gjykimit në fazën më të ndjeshme të kampionatit.
Ky ndryshim pritet të nisë që nga seria gjysmëfinale, ndërsa pritet që të njëjtën praktikë ta ndjekin edhe për finalen e madhe.
AsistiOnline.com ka mësuar poashtu se ky vendim nuk është pritur mirë nga gjyqtarët vendorë, të cilët kishin pritur që do të ishin ata që do ta mbyllnin këtë edicion të gjatë dhe të ngjeshur me sfidat më të rëndësishme të sezonit.
Siç mësohet ata janë tejet të zhgënjyer që, përkundër angazhimit gjatë gjithë vitit, nuk do t’u jepet besimi për ndeshjet më vendimtare të sezonit.
Ende nuk dihet se nga cilat vende do të vijnë gjyqtarët e huaj, por pritet që FBK së shpejti të zyrtarizojë këtë vendim. Mbetet të shihet se si do të ndikojë kjo lëvizje në ecurinë e ndeshjeve dhe në reagimin e klubeve e akterëve të tjerë të përfshirë.
AsistiOnline.com do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë zhvillim dhe do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja.
Komentet janë të mbyllura.