Rreze Kqiku sjell podcastin “n’rrjetë” – një zë i ri për basketbollin kosovar
Basketbolli kosovar ka marrë një dimension të ri me nisjen e podcastit “n’rrjetë”, një format inovativ i udhëhequr nga njëra prej femrave më aktive në Federatën e Basketbollit të Kosovës, Rrezarta Kqiku.
Me një përvojë trevjeçare brenda komunitetit të basketbollit dhe me një pasion të dukshëm për zhvillimin e tij, Kqiku vjen me një produkt autentik që synon të sjellë historitë më të thella dhe më njerëzore të këtij sporti në vëmendjen e publikut.
“n’rrjetë” është një pod cast për të dëgjuar nga afër zërat që zakonisht mbesin në hije. Çdo muaj, përmes bisedave të sinqerta dhe përmbajtjeve të përzgjedhura, ky projekt synon të dokumentojë emocionet, sfidat dhe rrëfimet personale të atyre që e jetojnë basketbollin – qoftë në parket, qoftë jashtë tij.
Me “n’rrjetë”, Rreze Kqiku dëshmon se mediat mund të jenë një urë lidhëse mes publikut dhe botës së brendshme të sportistëve. Podcasti është prodhim i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe publikohet në kanalin e tyre në YouTube.
Në muajt në vijim, kjo platformë pritet të sjellë shumë fytyra të tjera inspiruese nga skena e basketbollit – gjithmonë me qëllimin për ta afruar këtë sport edhe më shumë me publikun.
Komentet janë të mbyllura.