Bashkimi me epërsi ndaj Pejës në përballjet e këtij sezoni
Bashkimi dhe Peja do të përballen sonte në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-off-it, por këtë sezon këto dy skuadra tashmë janë matur disa herë me njëra-tjetrën në garat e sezonit të rregullt.
Gjatë sezonit të rregullt, Bashkimi dhe Peja janë takuar gjithsej katër herë – të gjitha këto përballje brenda garës elitare të Superligës. Prizrenasit kanë dalë më të suksesshëm në këtë duel klasik, duke regjistruar tri fitore kundrejt vetëm një triumfi të Pejës.
Interesant është fakti se fitorja e vetme e Pejës ka ardhur pikërisht në Prizren, në palestrën “Sezai Surroi”, ku edhe do të zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale. Ndërkaq, Bashkimi ka arritur të fitojë dy herë në Pejë dhe një herë në shtëpi, duke konfirmuar formën e qëndrueshme ndaj rivalit tradicional.
Në garat e tjera, si Kupa dhe Superkupa e Kosovës, këto dy skuadra nuk janë ndeshur mes vete këtë sezon, gjë që e bën serinë gjysmëfinale të jetë edhe më e veçantë dhe e hapur për çdo rezultat. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.