Edhe Visar Bunjaku pensionohet nga referimi para kohe – një tjetër humbje e madhe për basketbollin kosovar
Basketbolli kosovar po përballet me një tjetër tërheqje të parakohshme nga radhët e gjyqtarëve të tij më të rëndësishëm.
Siç ka mësuar AsistiOnline.com, Visar Bunjaku ka vendosur të pensionohet nga referimi, duke e njoftuar për këtë edhe zyrtarisht Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Vetëm pak ditë më parë, Atdhe Goçaj konfirmoi të njëjtin vendim, ndërsa sot listës së gjyqtarëve që largohen para kohe i është shtuar edhe Bunjaku – një prej emrave më të spikatur dhe autoritativ në gjykimin e ndeshjeve të basketbollit vendor për shumë vite me radhë.
Përveç një karriere të suksesshme si gjyqtar, Visar Bunjaku është i njohur edhe për të kaluarën e tij si lojtar aktiv në klube të ndryshme dhe në Përfaqësuesen e Kosovës. Kontributi i tij në basketboll ka qenë i gjithanshëm dhe i qëndrueshëm, çka e bën edhe më të ndjeshme mungesën e tij në fushë.
Burime të afërta me Bunjakun kanë bërë të ditur se arsyeja e tërheqjes së tij ka të bëjë me angazhimet e shumta në jetën dhe sferën private, që e kanë bërë të pamundur vazhdimin me intensitetin që kërkon referimi profesional. Sipas këtyre burimeve, vendimi ka qenë personal dhe i menduar gjatë, dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me problematikat e brendshme në sistemin e referimit.
Megjithatë, pensionimi i parakohshëm i Bunjakut vjen në një kohë kur numri i referëve aktivë në Kosovë është tepër i kufizuar dhe sfidat për t’i zëvendësuar ata janë më të mëdha se kurrë më parë. Kjo situatë vështirësohet edhe më shumë duke marrë parasysh faktin se vitet e fundit shumë gjyqtarë kanë ndjekur të njëjtën rrugë, duke u larguar nga referimi përpara se të arrijnë moshën e zakonshme të pensionimit.
Mbetet të shihet se si do të menaxhohet kjo situatë e ndjeshme nga FBK, pasi përballja me mungesën e referëve të përgatitur mund të ketë ndikim direkt në mbarëvajtjen dhe cilësinë e garave në basketbollin kosovar.
Komentet janë të mbyllura.