Përleshja në zonën “VIP” i kushton Bashkimit me 3 ndeshje pa shikues
Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka ndëshkuar klubin e Bashkimit me 3 ndeshje pa praninë e shikuesve dhe një gjobë prej 2 mijë eurosh, pas incidenteve të rënda që ndodhën në ndeshjen gjysmëfinale kundër KB Pejës.
Gjatë ndeshjes u hodhën sende të forta në fushë, përfshirë fishekzjarrë e petarda, ndërsa në fund ndodhi një përleshje fizike në zonën VIP e cila e ka pasur efektin juridik më të rëndë sipas propozicioneve të garave.
Dënimi për shikues ka ardhur në përputhje me nenin 52.16 të Propozicioneve të Garave i cili thotë se: Pjesëmarrja apo realizimi i sulmit fizik ndaj lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve apo përfaqësuesve të ekipeve apo personave zyrtarë të deleguar në ndeshje apo personave zyrtarë të FBK pa pasoja fizike dënohet me 2 mijë euro dhe 3 ndeshje pa shikues.
Bashkimi është dënuar me 700 euro edhe për hedhje/ndezje të mjeteve piroteknike në tribuna , në parket apo afërsi të tij.
Me 700 euro të tjera Bashkimi është dënuar edhe për anim dhe sjellje josportive apo sharje në kor e shikuesve ndaj ekipeve, gjyqtarëve, lojtarëve, personave zyrtarë të ekipeve, personave zyrtarë të ndeshjes, policisë, sigurimit, institucioneve, FBK, etj.
Me 500 euro, ekipi prizrenas është dënuar për hedhje të gjësendeve të forta në fushë të cilat mund të shkaktojnë lëndime të lehta (si: shkrepëset, monedhat, shishet e plastikës, etj).
Derisa 500 euro i janë shqiptuar edhe për shkak të Mungesës/pamjaftueshmërisë së pjesëtarëve të PK-së dhe sigurimit gjatë ndeshjes.
Lojtarët Daryll Morsell i Pejës dhe Lejson Zeqiri i Bashkimit, janë dënuar me nga 100 euro për gabime teknike-sjellje josportive.
Ndërsa nga ndeshja e tretë e serisë mes Trepçës dhe Bashkimit, ekipi mitrovicas ka marrë dy dënime.
Trepça është dënuar fillimisht në përputhje me nenin 51.4 të PG me 500€ i cili sqaron se hedhja e gjësendeve të forta në fushë të cilat mund të shkaktojnë lëndime të lehta (si: shkrepëset, monedhat, shishet e plastikës, etj), ka këtë pasojë ekonomike.
Trepça u dënua edhe në përputhje me nenin 51.6 të PG me 700€ i cili thotë se
animi dhe sjellja josportive apo sharja në kor e shikuesve ndaj ekipeve, gjyqtarëve, lojtarëve, personave zyrtarë të ekipeve, personave zyrtarë të ndeshjes, policisë, sigurimit, institucioneve, FBK, etj, ka këtë pasojë ekonomike.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.