Basketboll

FIBA sanksionon rëndë Golden Eagle Yllin: Katër ndalesa për shkak të borxheve ndaj basketbollistëve

Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli, nënkampioni aktual i Kosovës në basketboll, është goditur me një nga sanksionet më të rënda të viteve të fundit në këtë sport në vend.

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka vendosur katër ndalesa ndaj klubit nga Theranda, të cilat janë aktivizuar zyrtarisht më 24 mars 2025, shkruan AsistiOnline.com

Këto masa disiplinore vijnë pas padive të ngritura nga katër basketbollistë të huaj, të cilët kanë dërguar rastet e tyre në Tribunalin e Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), duke kërkuar pagesat e prapambetura nga Ylli. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve përkatëse, FIBA ka urdhëruar ndalesa që ndalojnë klubin të regjistrojë lojtarë të rinj, qoftë vendas apo të huaj, derisa borxhet të shlyhen plotësisht.

Ky vendim është një goditje serioze për klubin therandas, i cili viteve të fundit ka qenë një nga protagonistët kryesorë në Superligën e Kosovës, duke garuar rregullisht për tituj dhe përfaqësuar vendin në garat ndërkombëtare.

Ndalesat e vendosura nga FIBA përbëjnë një prej rasteve më të rënda të regjistruara në basketbollin kosovar në dekadën e fundit, duke ngritur shqetësime për menaxhimin financiar të klubeve dhe për pasojat që mund të vijnë në rast të mosrespektimit të kontratave.

Për momentin, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga drejtuesit e Golden Eagle Yllit lidhur me këtë zhvillim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi do të arrijë një marrëveshje me lojtarët për të zhbllokuar situatën dhe për të rikthyer të drejtën për transferime për edicionin e ri.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.