AGK-ja dënon sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve Agon Fehmiu dhe Ulpiana Emra
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj sulmeve, ofendimeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj komentatorëve sportivë Agon Fehmiu dhe Ulpiana Emra, të cilët kanë qenë subjekt i incidenteve gjatë serisë finale të Superligës së Kosovës në basketboll.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga redaksia e AsistOnline, komentatori Agon Fehmiu është goditur në shpinë me një shishe gjysmë të mbushur me ujë gjatë një incidenti në Prizren, pas hedhjes së gjësendeve në parket pas suspendimit të qendrës Michael Myers të KB Bashkimi.
Një tjetër incident ndodhi më 14 maj në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, gjatë finales së katërt mes KB Trepça dhe KB Bashkimi. Gazetarja Ulpiana Emra, në momentin kur ishte ngritur për të realizuar intervistat pas ndeshjes, është goditur përmes pleksiglasit nga një shikues që ishte zgjatur nga tribuna. Për fat të mirë, ajo nuk ka pësuar lëndime fizike.
AGK e cilëson këto sulme si të papranueshme dhe thekson se gazetarët nuk duhet të pengohen në asnjë mënyrë gjatë ushtrimit të punës së tyre, e cila është në shërbim të publikut.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën thirrje që këto sulme të ndalen menjëherë dhe u kërkon dy klubeve finaliste që të sigurojnë kushte të sigurta dhe normale pune për të gjithë komentatorët e përfshirë në mbulimin e ndeshjeve,” thuhet në reagimin e AGK-së.
Organizata gjithashtu u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të hetojnë me urgjencë kërcënimet dhe të ndërmarrin masa konkrete për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e tyre.
Komentet janë të mbyllura.