Basketboll

Italia mposht Serbinë në hapje të Eurobasketit, spikat shqiptarja Lorela Cubaj

Italia ka regjistruar fitoren e parë dhe shumë të rëndësishme në Eurobasketin e Femrave 2025, duke mposhtur Serbinë me rezultat 70-61 në një ndeshje të zhvilluar në qytetin e Bolonjës, njërin nga katër qytetet mikpritëse të këtij kampionati evropian.

Një nga figurat më të dalluara të këtij suksesi italian ishte Lorela Cubaj, e cila shkëlqeu me një paraqitje të plotë në të dyja fazat e lojës. Ajo ishte pikëshënuesja e dytë e ekipit italian, duke regjistruar 11 pikë, 6 kërcime dhe 3 asistime për 28 minuta të luajtura.

Cubaj, e lindur dhe rritur në Itali nga prindër shqiptarë, vazhdon të jetë një nga emrat më premtues të basketbollit  evropian për femra.

Në vitin 2022, ajo u zgjodh në draftin e WNBA, ku ka zhvilluar disa ndeshje në ligën më të fortë të basketbollit për femra në botë. Aktualisht, ajo është pjesë e skuadrës së madhe italiane Venezia.

Fitorja ndaj Serbisë e çon Italinë një hap më afër objektivave të saj në këtë kampionat, ndërsa Cubaj konfirmon potencialin e jashtëzakonshëm dhe rëndësinë e saj në përbërjen e skuadrës. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.