Doni largohet nga Vëllaznimi, emocionon me një shkrim falenderues
Një nga figurat më të dashura të Vëllaznimit, Don Polloshka, ka konfirmuar largimin nga klubi kuqezi, duke e bërë këtë përmes një letre prekëse falënderimi ndaj klubit, qytetit dhe tifozëve të Gjakovës.
Pas tri viteve të mbushura me sfida, rikthime dhe suksese historike, Doni po e mbyll këtë kapitull me ndjenja mirënjohjeje dhe krenarie.
Basketbollisti prishtinas, i cili mbante me krenari fanellën kuqezi me numrin 44, tha se ndonëse nuk është gjakovar me vendlindje, ndjesia që ka për klubin dhe qytetin është shumë më e thellë – e trashëguar që nga gjyshi i tij, Kasim Polloshka, një ish sportist që gjithashtu kishte mbrojtur ngjyrat e Vëllaznimit.
“Vëllaznimi më dha shumë më tepër se një fanellë – më dha një familje,” shkruan Doni në letrën e tij. “Këto vite mësova se ky klub është zemra e një qyteti që jeton me sportin, e që i jep dashurisë për basketbollin një kuptim të veçantë.”
Gjatë qëndrimit të tij në klub, Vëllaznimi kaloi nga objektivi i mbijetesës në Superligë në një histori të jashtëzakonshme suksesi – kulmuar me fitoren historike në Ligën Unike, trofe që riktheu titujt në Gjakovë pas 29 vitesh.
Ky sukses bëhet edhe më domethënës në kontekstin e sfidave personale që Doni përjetoi gjatë kësaj periudhe – përfshirë tre operacione dhe 20 muaj larg parketit. Ai tha se asnjëherë nuk e kishte menduar dorëzimin, pavarësisht dhimbjes fizike dhe emocionale.
Në letrën e tij, Doni falënderoi veçanërisht kryetarin e klubit, Ideal Bakija për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe trajnerin Jay Sarin, për ndikimin e thellë që pati në formimin e tij si lojtar dhe si njeri. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të thellë për një listë të gjatë të bashkëpunëtorëve, stafit dhe bashkëlojtarëve që ishin pjesë e rrugëtimit të tij në Gjakovë.
Falënderimi i tij i veçantë shkoi për tifozët e zjarrtë të Vëllaznimit – të cilët, siç shkroi ai, “e kthyen atmosferën në diçka magjike dhe rikthyen shijen e vërtetë të tifozllëkut në basketboll”.
“Po largohem me kokën lart dhe zemrën plot. Gjakovë, gjithmonë ke me qenë në zemrën time,” përfundon letra e Donit. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.