Basketboll

Ekskluzive: Jan Palokaj pritet të mbetet te Ylli, me një kontratë të re dhe shumë profitabile

Golden Eagle Ylli po vazhdon të ndërtojë bazën për një tjetër sezon ambicioz në Superligën e Kosovës, duke mbajtur në radhët e veta edhe një prej lojtarëve më të spikatur të kampionatit të kaluar.

AsistiOnline.com ka mësuar se Jan Palokaj është shumë pranë rinovimit të kontratës me kampionët në fuqi, pas një oferte që, siç është përshkruar nga burime të afërta, ishte “e pamundur për t’u refuzuar”.

Edhe pse për 24-vjeçarin kishte interesim serioz nga disa skuadra brenda dhe jashtë Kosovës, duket se projekti i Yllit dhe kushtet e ofruara kanë bindur fundorin energjik të vazhdojë të jetë pjesë e tyre.

Në edicionin e fundit të Superligës, Palokaj ishte një nga lojtarët më të dalluar, me mesatare prej 17.5 pikësh, 4 asistimesh dhe 4.5 kërcimesh për ndeshje, duke qenë një faktor kyç te klubi nga Theranda.

Karriera e Palokajt përfshin edhe një etapë shumë të suksesshme në Kroaci, ku ai u shpall kampion me ekipin e Zarës për dy sezone radhazi në ligë dhe Kupë.

Me qëndrimin e Palokajt dhe Lis Shoshit, Ylli po krijon bazën e një skuadre që synon të gjithë trofetë në Kosovë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.