Kosova U18 pëson humbjen e dytë në Evropianin e Divizionit B, mposhtet nga Estonia
Përfaqësuesja U18 e Kosovës në konkurrencën e meshkujve ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në Kampionatin Evropian të Divizionit B, që po zhvillohet në qytetin Pitesti të Rumanisë.
Pas disfatës nga Hungaria në ndeshjen hapëse, djelmoshat kosovarë u mposhtën edhe sonte, kësaj radhe nga Estonia me rezultat bindës 95-61.
Ndeshja tregoi vështirësi të mëdha për Kosovën, që nuk arriti të mbajë hapin me kundërshtarin gjatë katër çerekëve të takimit.
Besim Bytyqi ishte më efikasi me 18 pikë të realizuara, ndërsa Drin Tafilaj kontribuoi me 15 pikë të tjera. Mal Tusuni dhe Halim Lebovci shtuan nga 8 pikë secili, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Pas dy humbjeve në po aq ndeshje, Kosova do të kërkojë të rikthehet në binarë nesër, kur përballet me Zvicrën, në ndeshjen e tretë të grupit.
Kampionati Evropian U18 – Divizioni B do të vazhdojë deri më 3 gusht. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.