Klubi Basketbollistik Proton Cable Prizreni njofton opinionin sportdashës se lojtari i tyre i talentuar, Erion Nixha (18 vjeç), do të mungojë për një periudhë të gjatë nga parketi për shkak të një dëmtimi serioz që ka pësuar së fundmi.
Gjatë paraqitjes së tij me përfaqësuesen e Kosovës U18 në Kampionatin Europian të zhvilluar në Rumani, në ndeshjen kundër Norvegjisë, Erioni pësoi këputje të ligamentit të përparmë të gjurit (ACL) në gjurin e djathtë. Pas rikthimit në Kosovë, kontrollet dhe ekzaminimet mjekësore konfirmuan natyrën e rëndë të lëndimit.
Gjatë javës së ardhshme, lojtari do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale nga doktori i njohur sportiv, z. Agron Mahmuti, i cili për vite me radhë ka qëndruar pranë sportistëve tanë me profesionalizëm dhe përkushtim.
Në këtë rast, Klubi Proton Cable Prizreni ka shprehur poashtu edhe mirënjohje të veçantë për drejtorin e përfaqësueses, z. Adriatik Rraci, për përkujdesjen dhe gatishmërinë e treguar ndaj Erionit gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ne jemi të bindur se me përkrahjen e duhur dhe përkushtimin e tij, Erioni do të rikthehet më i fortë dhe më i motivuar në parket. Klubi, bashkëlojtarët dhe i gjithë komuniteti sportiv i dëshirojnë shërim të shpejtë dhe të plotë. /AsistiOnline.com/