Klubi i Vëllaznimit ka finalizuar një goditje të fortë në afatin kalimtar, duke siguruar shërbimet e njërin prej lojtarëve më premtues të basketbollit kosovar, Jon Ismajli, ka mësuar kështu AsistiOnline.com
Pavarësisht se ishte në shënjestër të katër klubeve të tjera të elitës së basketbollit në Kosovë, mësohet që Ismajli ka vendosur t’i bashkohet projektit të Vëllaznimit, sidomos falë insistimit të madh të trajnerit të gjakovarëve Jerenimo Sarin, por edhe agjencisë Lotsos, e cila mban të drejtat për përfaqësimin e tij tek ekipet, agjenci kjo e cila poashtu ka insituar në këtë lëvizje pas disa analizave të tyre lidhur me të ardhmen e lojtarit.
Trajneri Sarin është bërë sinonim i zhvillimit të lojtarëve tanë vendorë, gjë që është dëshmuar me përparimin dhe transferimet e Don Polloshkës dhe Arian Azemit, të cilët nga Vëllaznimi kaluan te KB Prishtina.
Kësaj radhe, lëvizja është në kahje të kundërt, me Ismajlin që nga Prishtina kalon te Vëllaznimi – një lojtar i ri dhe jashtëzakonisht perspektiv, që pritet të ketë rol të rëndësishëm dhe minutazh të konsiderueshëm në sezonin e ardhshëm me Vëllaznimin.
Ky transferim është pjesë e përgatitjeve serioze të klubit gjakovar për të përsëritur – apo edhe tejkaluar – suksesin e sezonit të kaluar në elitën e basketbollit kosovar. /AsistiOnline.com