Skuadra e Bashkimit ka nisur me sukses rrugëtimin në kualifikimet e FIBA Europe Cup, duke mposhtur sonte në Prizren gjigantin polak, Anwil Włocławek, me rezultat 80-75.
Ndeshja u kontrollua nga portokallinjët thuajse nga fillimi, edhe pse diferencat nuk ishin të thella në asnjë moment. Loja e fortë dhe vendosmëria e Bashkimit i dhanë epërsinë vendimtare për të siguruar fitoren e parë në këtë seri.
Tre amerikanët e skuadrës së Igor Jovovic u dalluan me paraqitje mbresëlënëse: Isaiah Cousins ishte më efikasi me 21 pikë, Jeremiah Bailey kontribuoi me 16, ndërsa Kyan Anderson shtoi 13.
Në anën tjetër, te Anwil u dallua Isaiah Mucius me 18 pikë, ndërsa Michal Michalak shënoi 14, por kjo nuk mjaftoi që polakët të shmangin humbjen.
Dueli i kthimit do të zhvillohet më 1 tetor në Poloni, ku Bashkimi do të kërkojë ta vulosë kualifikimin për fazën tjetër të garës./AsistiOnline.com/


