KB Bashkimi është gati për një nga sfidat më të rëndësishme të viteve të fundit, ndeshjen ndaj Anwil Włocławek në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup.
Para përballjes së sotme, për AsistiOnline.com foli kapiteni i Kosovës, Jan Palokaj, i cili u bashkua me skuadrën prizrenase këtë verë.
“Që kur erdha këtu, reagimet kanë qenë shumë pozitive nga të gjitha anët – lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit. U bashkova me ekipin rreth dy javë pasi nisën përgatitjet dhe besoj se përshtatem mirë. Skuadra është e thellë, kemi rotacion prej 10 lojtarësh dhe dy të rinj shtesë që marrin pjesë në stërvitje. Kjo është diçka pozitive në krahasim me ekipet ku kam qenë në Kosovë në katër vitet e fundit,” – tha Palokaj.
Duke folur për rivalin polak, ai vuri në pah peshën e madhe të kundërshtarit:
“Anwil është ndoshta një nga 3-4 skuadrat më të forta në Poloni, me lojtarë vendas cilësorë, amerikanë të mirë dhe sidomos përvojë të madhe evropiane, gjë që Bashkimi natyrisht nuk e ka. Por për ne është plus fakti që ndeshjen e parë e kemi në shtëpi. Jo shumë lojtarë përshtaten menjëherë me atmosferën që ekziston në palestrat e Kosovës dhe kjo mund të na japë një përqindje më shumë shans.”
Ky do të jetë takimi i parë zyrtar për Bashkimin këtë edicion, ndërsa Palokaj thekson se gara e sotme është krejt tjetër nga testet e deritashme:
“Nuk mendoj se ndeshjet miqësore tregojnë shumë, sepse është krejt tjetër kur loja është konkurruese. Ka edhe një ndeshje të dytë në Poloni dhe do të përgatitemi maksimalisht. Shpresojmë të fitojmë me sa më shumë pikë që mundemi.”
Bashkimi e pret Anwil-in sonte në palestrën “Sezai Surroi” nga ora 19:00, ndërsa ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në ArtSport 1. /AsistiOnline.com/