KB Bashkimi sonte përballet me sfidën e madhe kundër Anwil Włocławek në kualifikimet e FIBA Europe Cup.
Para ndeshjes, për AsistiOnline.com ka folur trajneri i ri i skuadrës prizrenase, Igor Jovovic, i cili u shpreh i motivuar nga ambicia e klubit dhe nga pritja që ka marrë në Kosovë.
“Mund të them se jam shumë i lumtur që jam këtu. Që në fillim të negociatave e pashë që ishte një klub ambicioz dhe shumë konkurrues vitin e kaluar. Duke parë se çfarë po bëjnë ekipet e tjera në ligë, e dija që kjo do të ishte një sfidë e madhe. Edhe ekipet tjera kanë angazhuar trajnerë me përvojë, gjë që tërheq edhe lojtarë cilësorë dhe kjo e bën ligën edhe më të fortë. Pikërisht kjo ambicie ishte motivim i madh për mua,” tha Jovovic.
Sa i përket përgatitjeve, ai shtoi: “Jemi bashkë vetëm një muaj dhe disa lojtarë nuk erdhën menjëherë në fillim të parasezonit. Skuadra është e re, por po përpiqemi. Ata me të vërtetë duan të jenë këtu, duan të luftojnë për vendin e tyre në skuadër dhe ta bëjnë këtë ekip të suksesshëm. Gjithçka është pozitive dhe shpresoj të vazhdojë kështu.”
I pyetur për rivalin polak, Jovovic nuk fshehu respektin për Anwil-in: “Ata nuk kanë vetëm përvojë, ata e kanë fituar këtë garë. Për ne kjo është një kapitull i ri. Nuk kemi shumë eksperiencë në Europë dhe unë e shoh këtë si një mundësi të madhe për qytetin e Prizrenit dhe tifozët, që të shohin një skuadër të fortë përballë Bashkimit. Patëm pak fat të keq në short, sepse me disa ekipe të tjera shanset do të ishin më të mëdha, por kjo nuk do të thotë që do të dorëzohemi. Do të mundohemi të konkurojmë në mënyrën më të mirë dhe të kërkojmë shanset tona.”
Në fund, Jovovic pati edhe një mesazh për tifozët prizrenas: “Dua t’i ftoj që ta shijojnë basketbollin në këtë ndeshje kundër Anwil. Edhe në miqësore isha shumë i kënaqur dhe i befasuar me numrin e madh të tifozëve që erdhën dhe na përkrahën. Po pres që sonte të jetë edhe më mirë dhe ata të jenë lojtari ynë i gjashtë në parket.”
KB Bashkimi e pret Anwil-in sonte nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi”, ndërsa ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në ArtSport 1.