— Nga Agon Fehmiu
Kur po afrohen zgjedhjet, politikanët po na mbysin me premtime dhe me fjalë të ëmbla, por realiteti kosovar është krejt tjetër.
Unë ju shikoj veprat, jo fjalët.
Edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës, sa herë që vjen koha e zgjedhjeve — qofshin lokale apo nacionale — palestrat sportive mbyllen hermetikisht dhe zaptohen nga institucionet, duke u shndërruar në qendra votimi e numërimi të votave. Ndërkohë, sportistët hidhen në rrugë dhe askush nuk jep pesë pare për këtë.
Shkurt: sporti është viktimë e politikës, e cila nga njëra anë premton fusha e male për sportin, ndërsa në fund e lë në rrugë pa dhimbje.
Konkretisht
Edicioni i shumëpritur i elitës së basketbollit kosovar është dashur të nisë më 4 tetor, por kjo nuk do të ndodhë.
Klubet, që sivjet kanë bërë investime si kurrë më parë — duke sjellë trajnerë të njohur dhe kualitativë, super lojtarë dhe duke nisur përgatitjet tash e dy muaj — po përballen tani me shtyrjen e fillimit të kampionatit. Arsyeja? Zotërinjtë e politikës nuk janë në gjendje të gjejnë një zgjidhje që nuk e dëmton sportin.
Thjesht: për qendra votimi apo numërimi të votave mund të merren me qira sallone të mëdha dasmash ose salla të mëdha për evente të ndryshme. Palestrat sportive dhe klubet, të cilat edhe ashtu mezi funksionojnë për shkak të mungesës së termineve e hapësirave për stërvitje dhe gara, duhen lënë rehat.
Kampionati i ProCredit Superligës, i cili premton të jetë më i nxehti dhe më atraktivi që nga epoka e artë 2002–2006, rrezikon të shtyhet. Për këtë askush nga politikanët që kërkojnë votën e sportistëve nuk qan kokën.
Ata që kanë udhëhequr deri tash kanë pasur vetëm fjalë boshe. Mos të mashtrojnë duke thënë “kemi bërë këtë apo atë”, sepse rezultati është evident: sallat po zaptohen dhe sportistët po hidhen në rrugë.
Oooo politikanë të Kosovës… gjeni zgjidhje dhe lëreni sportin rehat!
Një sugjerim për FBK-në.
Duke marrë parasysh se Palestra e Prishtinës do të jetë e lirë, aty mund të zhvillohen aktivitete. Për fillim, derisa të kryhen zgjedhjet dhe balotazhi, mund të organizohet Superkupa e Kosovës me sistemin: 1–8, 2–7, 3–6, 4–5. Edhe pas humbjeve, skuadrat mund të vazhdojnë të luajnë për pozitat 7–8, 5–6, 3–4, në mënyrë që të ketë lojëra dhe të mos shkojë huq kjo periudhë pritje.
Klubeve të elitës së basketbollit kosovar u duhet një zgjidhje kreative dhe urgjente, derisa të përcaktohet kur do të nisë sezoni i ri, që tashmë ka pësuar ndryshime për shkak të procesit zgjedhor.