Basketbollisti amerikan i Prishtinës, Adrio Bailey, ka folur për AsistiOnline.com rreth përvojës së tij të parë në Kosovë dhe pritjeve për ndeshjen e radhës në kuadër të ENBL.
“Deri tani ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Është hera e parë që vij në një vend të ri, por gjithçka ka qenë shumë mirë. Nuk kam asnjë ankesë,” u shpreh Bailey, i cili tashmë ka kaluar gati një muaj në vendin tonë.
Në lidhje me përballjen e radhës në arenën ndërkombëtare, ai u shpreh i gatshëm për sfidën: “Jam gati. Është një rrugëtim i ri për shumicën prej nesh. Mendoj se jemi të përgatitur, kemi bërë punën e duhur gjatë parasezonit. Ishte periudhë e mbushur me gjëra të reja, ulje-ngritje dhe ishte e vështirë, por tani jemi aty ku duhet të jemi.”
Bailey shihet si një nga lojtarët që pritet të japë ndikim të rëndësishëm për skuadrën në këtë edicion, teksa ndeshjet e ENBL do të jenë një test i vërtetë për ambiciet e tyre.




