Kelby Kramer poashtu ka dhënë prononcimin e tij për AsistiOnline.com, duke folur për përshtatjen në Kosovë, atmosferën në ekip dhe pritjet për ndeshjen e parë në ENBL.
“Prishtina është një qytet i mrekullueshëm. Më pëlqen shumë kultura këtu, shumë gjallëri, shumë energji. Trajneri Mikey dhe asistenti Stratos janë fantastikë. Kanë pritshmëri shumë të larta si për secilin lojtar, ashtu edhe për ekipin. Jam i lumtur që jam këtu dhe i emocionuar për këtë mundësi,” u shpreh Kramer.
Sa i përket atmosferës në ekip, qendri i gjatë amerikan tha: “Është shumë e mirë. Bëjmë shaka, argëtohemi, ka atmosferë pozitive. Lojtarët vendorë dhe të huaj po përshtaten mirë. Sigurisht që kërkon kohë të përshtatemi në sulm dhe mbrojtje, por jemi në rrugën e duhur. Po më pëlqen shumë.”
Në prag të ndeshjes kundër Gimle, Kramer shtoi: “Është një klub i mirë norvegjez. Madje kam luajtur në kolegj me një lojtar që ka qenë në ekipin e tyre të të rinjve. Janë skuadër e suksesshme në rajonin e tyre. Do të shohim edhe video për të parë detajet, por për ne kryesorja është mbrojtja. Duhet të kemi rotacionet e sakta, të mbrojmë topin mirë dhe të mbyllim aksionet me kërcime. Në sulm kemi shumë talent, aty nuk shqetësohem. Pika kyçe është të ndalojmë kundërshtarin të shënojë.”




