Under Header

spot_img

Nga fillimi i ri te sfidat evropiane – trajneri i Prishtinës optimist për sezonin

spot_img
spot_img

Trajneri i Prishtinës, Michalis Kakiouzis, ka folur për AsistiOnline.com pas më shumë se një muaji pune me skuadrën kryeqytetase, duke ndarë përshtypjet e para, pritjet për sezonin dhe ndeshjen e ardhshme në ENBL ndaj Gimle.

“Para së gjithash, jam shumë i lumtur që jam këtu. Ka kaluar më shumë se një muaj dhe jam i kënaqur sepse ekipi është mirë, gjithçka po funksionon normalisht. Po mundohemi të ndërtojmë një ekip për të ardhmen, një ekip fitues. Nuk është e lehtë, sepse është skuadër e re dhe duhet të punojmë shumë që deri në fund të sezonit të jemi aty ku synojmë – të luftojmë për të gjitha trofetë,” tha trajneri grek.

Ai shtoi se skuadra po punon me intensitet të lartë dhe ka zhvilluar miqësore të forta për ta testuar nivelin: “Kemi luajtur disa miqësore të forta, prandaj zgjodhëm tri skuadra greke, për të parë forcën tonë reale. Për mua nuk ka rëndësi rezultati në miqësore, qoftë fitore apo humbje. Ajo që dua të shoh janë elementët që po ndërtohen. Çdo ditë përpiqemi të përmirësohemi, në çdo stërvitje dhe çdo ndeshje. Mendoj se rreth Krishtlindjeve ekipi do të fillojë të duket siç e kemi imagjinuar.”

I pyetur për pikat pozitive dhe dobësitë e deritanishme, Kakiouzis tha: “Ajo që më pëlqen shumë është agresiviteti në mbrojtje. Luajmë në mënyrë agresive, përpiqemi të jemi të shpejtë, jo të nxituar, por të shpejtë. Lojtarët po e kuptojnë mënyrën dhe rregullat e mbrojtjes, që është thelbësore nëse duam të fitojmë diçka. Anët negative? Po, kemi disa momente të dobëta gjatë ndeshjes, por kjo është krejt normale për një skuadër të re.”

Sa i përket përbërjes së ekipit, ai la të hapur mundësinë për një përforcim të huaj: “Sigurisht që na mungon edhe një lojtar i huaj. Do të shohim ku na nevojitet më shumë – mund të jetë qendër, mund të jetë fundorë. Dua që lojtari i ardhshëm të jetë pjesa e fundit e mozaikut.”

Në fund, Kakiouzis foli edhe për ndeshjen hapëse ndaj Gimle në ENBL: “Është ndeshja e parë, e para zyrtare e sezonit. Po rikthehemi në Evropë pas tre ose katër vitesh. Gimle është një skuadër që luan me ritëm shumë të lartë, qarkullon shpejt topin, gjuan shpejt pa u menduar shumë. Kanë disa lojtarë të mirë dhe e pëlqejnë stilin e tyre të lojës. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ta kontrollojmë ritmin e lojës, sidomos këtu në shtëpi. Duam të fillojmë me fitore, sepse synimi ynë është gjithmonë të fitojmë dhe të shkojmë deri në fund.”

Kakiouzis, një emër i madh i basketbollit evropian, është i vendosur që me Prishtinën të ndërtojë një skuadër konkurruese që do të luftojë për trofetë në Kosovë dhe të përfaqësohet denjësisht në garat ndërkombëtare. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme