Klubi i Bashkimit ka arritur një sukses historik, duke siguruar pjesëmarrjen për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.
Edhe pse ekipi prizrenas u eliminua nga Anwil në ndeshjen e turit kualifikues, rregullorja e FIBA Europe Cup ka hapur rrugën që “portokallezinjtë” të vazhdojnë rrugëtimin evropian. Sipas këtij formati, tre klube që humbasin ndeshjet kualifikuese përzgjidhen si “lucky losers”, në bazë të diferencës më të vogël të humbjes.
Bashkimi ishte ndër këto klube, duke marrë kështu zyrtarisht vendin në mesin e skuadrave pjesëmarrëse në grupet e FIBA Europe Cup.
Ky është një moment historik për klubin prizrenas, i cili për herë të parë do të matet me skuadra evropiane në një garë prestigjioze, duke shënuar një kapitull të ri në basketbollin prizrenas dhe atë kosovar.