Under Header

spot_img

Dy grekët në Superligën e Kosovës sonte përballë njëri tjetrit

spot_img

Basketbolli grek ka prodhuar shumë trajnerë e lojtarë të suksesshëm, dhe dy prej tyre, Fotis Takianos e Michalis Kakiouzis, tashmë njihen edhe si figura të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Fotis Takianos, i lindur në Selanik, është një nga trajnerët më të njohur të brezit të fundit në Greqi. Karrierën e ka ndërtuar duke drejtuar klube të shumta në kampionatin grek si PAOK, Larisa, Trikala, KAOD e të tjera, ndërsa përvoja e tij është zgjeruar edhe jashtë vendit, përfshirë edhe Kosovën, ku ka qenë pjesë e klubeve si Bashkimi e Rahoveci.

Sezoni i tij më i suksesshëm ishte 2021/22, kur me Larisën arriti deri në gjysmëfinalet e kampionatit grek, duke u shpallur më pas Trajneri i Vitit.

Para ardhjes te Ylli, Takianos kishte drejtimin e klubit kryesor nga Kazakistani – Astana, pjesëmarrës në ligën e fuqishme rajonale të VTB League, duke vazhduar kështu karrierën e tij në nivelet e larta të basketbollit evropian.

Ndërkohë, Michalis “Mika” Kakiouzis njihet fillimisht për karrierën e tij të shkëlqyer si lojtar. Ai ishte kapiten i Greqisë në periudhën e artë të përfaqësueses helene, duke fituar EuroBasket 2005 dhe duke siguruar medaljen e argjendtë në Botërorin e vitit 2006, ku Greqia mposhti edhe SHBA-në në gjysmëfinale.

Në nivel klubesh, Kakiouzis ka veshur fanellat e AEK-ut të Athinës, Barcelonës, Montepaschi Sienës, Anadolu Efesit e shumë skuadrave të tjera nëpër Evropë, duke fituar kampionate e kupa kombëtare.

Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai ka hyrë në botën e trajnimit, ku tashmë po ndërton profilin e tij si trajner me ambicie në zhvillim.

Dy emra që vijnë nga Greqia, por që përmes punës së tyre kanë shënuar gjurmë të forta në basketbollin evropian, dhe që sot mbeten figura të respektuara jo vetëm në vendlindje, por edhe më gjerë. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme