Under Header

spot_img

Letra prekëse e lamtumirës së Adisit Beçiragiq pas dorëheqjes nga kombëtarja e Bosnjës dhe Hercegovinës

spot_img
spot_img

Pas rezultateve të mira në EuroBasket dhe kalimit në fazën eliminatore, përfaqësuesja e Bosnjës dhe Hercegovinës është përballur me një lajm të papritur: trajneri Adis Beçiragiq ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të ekipit kombëtar.

Në një letër prekëse drejtuar Federatës së Basketbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Beçiragiq ka shpjeguar arsyet që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi, duke theksuar se shëndeti i tij është bërë prioritet pas viteve të vështira me stres dhe sakrifica.

Letra e plotë e Beçiragiqit është publikuar nga mediat boshnjake dhe ka ngjallur reagime emocionale te tifozët e basketbollit:

Të nderuar anëtarë të Bordit Drejtues,

Ju drejtohem pasi kam marrë njërën nga vendimet më të vështira të karrierës sime. Si gjithmonë, do të jem i drejtpërdrejtë.
Para jush po paraqes dorëheqjen time nga posti i përzgjedhësit të përfaqësueses seniore të basketbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Arsyet janë disa, por kryesorja lidhet me atë që është më e rëndësishme për të gjithë ne – shëndetin.

Gjatë tre viteve të fundit kam kaluar shumë, por gjithmonë e kam bërë për dashurinë që ndjej ndaj shtetit dhe kombëtares sonë.

Megjithatë, stresi më ka ndikuar shumë gjatë përgatitjeve dhe ndeshjeve të EuroBasket-it. Ka ndikuar në gjithë organizmin tim, vetëm unë e di çfarë kam kaluar dhe çfarë pasojash ndjej ende sot. Së shpejti më pret edhe një operacion.

Në klub do të vazhdoj punën, sepse kjo është mënyra ime e jetesës, por përfaqësueses duhet t’i them lamtumirë. Aty kam përjetuar gëzimet më të mëdha, por edhe vuajtjet më të thella kur gjërat nuk kanë shkuar siç kemi dashur.

Shëndeti është gjithmonë në vend të parë. Besoj se nuk ka nevojë të shpjegoj më shumë dhe jam i bindur që do të më kuptoni. Shpresoj që do ta pranoni dorëheqjen time.

Të gjithë njerëzve dashamirës në basketbollin e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe pasardhësit tim në rolin e përzgjedhësit, do të jem gjithmonë në dispozicion për këshilla apo ndihmë në çdo formë.

Me përshëndetje të përzemërt,
Adisi Beçiragiq

Dorëheqja e Beçiragiqit vjen vetëm pak javë pas suksesit në EuroBasket, ku Bosnja dhe Hercegovina arriti të kalojë grupin e vështirë me Spanjën, Italinë, Greqinë, Qipron dhe Gjeorgjinë, duke fituar respektin e publikut sportiv.

Tifozët dhe figurat e basketbollit në rajon kanë shprehur mirënjohje për kontributin dhe përkushtimin e trajnerit, ndërsa Federata e Basketbollit pritet të nisë së shpejti procesin për gjetjen e përzgjedhësit të ri të përfaqësueses. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme