Skuadra e KB Vëllaznimit ka zyrtarizuar transferimin e basketbollistit brazilian Leo Colimerio, i cili do të jetë pjesë e ekipit për edicionin e ri të garave në Superligën e Kosovës.
Colimerio, një lojtar 200 centimetra i gjatë, luan në pozitat 3 dhe 4, dhe njihet për atleticizmin e tij të jashtëzakonshëm.
Karriera e tij është zhvilluar kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për katër sezone ka qenë pjesë e Fresno State University, ndërsa në edicionin e fundit ka luajtur për Queens University of Charlotte Athletics, me mesatare mbresëlënëse prej 13.7 pikë, 5.2 kërcime dhe 3.1 asistime për ndeshje.
Ky është një përforcim i rëndësishëm për kuqezinjtë e Gjakovës, të cilët po synojnë të kenë një sezon të fortë dhe konkurrues në basketbollin kosovar.
Leo Colimerio tashmë është prezantuar me fanellën kuqezi, ndërsa nga klubi i është uruar mirëseardhje dhe shumë suksese në aventurën e tij të re me Vëllaznimin.