Basketbollisti amerikan i KB Peja, Skyler Flatten, ka folur për ecurinë e rikuperimit të tij pas lëndimit dhe pritjet që ka për ndeshjen e radhës në Ligën ENBL, ku pejanët do të përballen me Riga Zellin.
Flatten tha se procesi i rikuperimit po ecën në mënyrën e duhur dhe se është shumë afër rikthimit në fushë pas mungesës në fillim të sezonit:
“Po shkon mirë. Çdo ditë ndihem më mirë. Po mundohem të vazhdoj me ushtrimet dhe të bëj gjithçka që mundem, por po ecën shumë mirë. Tani jam pothuajse në formë të plotë dhe shumë shpejt do të jem gati për t’u rikthyer.”
Ai gjithashtu foli për pritjet që ka në ndeshjen e radhës ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e lojës kolektive dhe përkushtimit në çdo moment të takimit:
“Personalisht, dua të jap maksimumin dhe të bëj gjithçka që ekipi ka nevojë nga unë për të dhënë më të mirën në ndeshje. Siç kam thënë edhe më parë, të luajmë fort, si ekip, të qarkullojmë topin, të mbrohemi mirë dhe të dalim për të fituar.”
Skuadra e KB Peja po përgatitet për një tjetër javë të rëndësishme në ENBL, ndërsa rikthimi i Flatten pritet të jetë një shtysë e madhe për pejanët, si në garat ndërkombëtare ashtu edhe në kampionat. /AsistiOnline.com/