Basketbollisti amerikan i KB Peja, Tahj Green, ka folur për platformën AsistiOnline.com rreth përshtatjes së tij në qytetin e Pejës, fillimit të sezonit dhe përjetimeve të para në Superligën e Kosovës dhe ENBL.
Green u shpreh i kënaqur me pritjen dhe jetën në qytet, duke thënë se është ambientuar shumë shpejt:
“Jam përshtatur shumë mirë, e dua këtë qytet tashmë. Ushqimi është i mirë, i lirë, zona është e bukur. Sa i përket ndeshjes së parë, shkoi mirë. Ishte pak e vështirë për mua sepse nuk e prisja që do të kishte aq shumë tifozë dhe një atmosferë kaq të zjarrtë përreth. Por ishte një ndeshje e mirë, dhe e mbyllëm me fitore.”
Sa i përket garës ndërkombëtare ENBL, Green tha se fokusi i skuadrës është vetëm te fitorja, pavarësisht mënyrës se si ajo arrihet:
“Në ENBL thjesht duhet të fitosh, fitorja është fitore pa marrë parasysh si vjen. Ne duhet vetëm ta marrim atë. Unë dhe JJ kemi qenë më parë pjesë e ENBL dhe e dimë çfarë të presim aty. Gjithçka që duhet të bëjmë është të fitojmë.”
Në fund, ai kishte edhe një mesazh të veçantë për tifozët verdhezi, të njohur për atmosferën elektrizuese që krijojnë në çdo ndeshje:
“Sillni energjinë tuaj! Unë do të sjell timen, do ta ndez publikun. Vetëm na mbështetni dhe brohorisni për ne, na ndihmoni të fitojmë. Faleminderit të gjithëve!”
KB Peja këtë edicion synon të jetë konkurrente serioze në të dy frontet – në Superligën e Kosovës dhe në Ligën Ndërkombëtare ENBL, ku Green tashmë po shihet si një nga shtyllat kryesore të skuadrës. /AsistiOnline.com/