Under Header

spot_img

Ekskluzive: Kamil Novak tregon se si të motivohet rinia të luaj basketboll

Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës flet për problemin global dhe zgjidhjet

spot_img
spot_img

Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak së bashku me kryetarin e FIBA Evropës, Jose Garbajosa, po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të punimeve të Komisionit për të Rinj të FIBA Europe, nënkryetar i të cilit është Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Kjo mbledhje vjetore me rëndësi vendimmarrëse ku anëtarët e komisionit dhe përfaqësues nga vende të ndryshme evropiane, takohen çdo vit për të diskutuar projekte të reja, garat ndërkombëtare dhe zhvillimin e trajnerëve e lojtarëve të rinj ësht duke u përcjellur njëkohësisht edhe me aktivitetin e programit FIBA Europe U14 Get Together ku top ekspertë evropian, Matthias Zollner dhe Nenad Truniq iu ligjerojnë 60 trajnerëve nga vende të ndryshme të Evropës duke përfshirë edhe 6 nga Kosova .

Me ktë rast, AsistiOnline ka biseduar me drejtorin ekzekutiv të FIBA Evropës, Kamil Novak, lidhur me rëndësinë e organizimit të këtyre aktiviteteve në Kosovë por edhe problemin e tërheqjes së rinisë të merret me basketboll

“Kategoria nën 14 vjeç është një kategori ku FIBA Europe mbështet zhvillimin e të rinjve në të gjitha 50 vendet anëtare, në të gjitha federatat tona kombëtare. Dhe kjo mbështetje është edhe financiare – ne i mbështesim financiarisht. Programi Get Together është një mjet për federatat që të shkëmbejnë përvojat e tyre, të tregojnë çfarë po bëjnë. Nuk ke pse shpik çdo herë diçka të re. Kështu që, për federatat, ky është një rast për të parë se çfarë po bëjnë të tjerët, çfarë aktivitetesh, çfarë eventesh, si rekrutojnë lojtarët e rinj etj” ka theksuar Novak dhe ka shtuar se FIBA Evropa dëshiron të paraqes shembuj të mirë për t’i frymëzuar të tjerët “Siç e përmenda, investimet tona, të gjitha investimet financiare, përqendrohen në këtë grupmoshë. Ne nuk mendojmë se duhet të mbështesim federatat me lojtarë që tashmë luajnë për ekipet e moshave kombëtare. Kjo është pra një nga shtyllat kryesore të mbështetjes financiare që FIBA Europe u jep federatave kombëtare.”

Ai shtoi se këto organizime janë shumë të rëndësishme për FIBA Evropën dhe “Kjo është arsyeja pse ky event vjetor ka rëndësi të madhe për ne, por edhe më shumë për vetë federatat anëtare, për të parë drejtimin që po ndjekin të tjerët. Këtu kemi federata të mëdha, por edhe të vogla, dhe secila po bën diçka. Është shumë mirë të shohësh se çfarë po ndodh dhe ndoshta, nuk do ta quaja “copy-paste”, por të marrësh frymëzim për atë që mund të bëhet në të ardhmen në këtë fushë. Nuk do ta quaja mini-basketball, sepse nuk është saktësisht e tillë, për këtë kemi një ngjarje tjetër të quajtur Mini-Basketball Convention. Get Together është më shumë një platformë për aktivitete rinore që përfshijnë gjithçka nën moshën 14 vjeç.”

AsistiOnline pyeti lidhur me rëndësinë e investimit në basketbollin e të rinjve në të ardhmen pasi në dy dekadat e fundit problemi i inkuadrimit të rinjve në basketboll është rritur dukshëm dhe si FIBA ia doli ta ndal ktë trend, Novak përmendi disa faktor
“Mendoj se ende e nënvlerësojmë disi ndikimin e periudhës së COVID-it, ose më mirë, nuk jemi përballur plotësisht me pasojat e saj. Është e qartë se kemi humbur ndoshta një brez të tërë lojtarësh të rinj. Ata që ishin 14, 15 apo 16 vjeç gjatë atyre dy apo dy e gjysmë viteve pandemie, ishin në moshën më kritike për zhvillim. Dhe për këtë do të “paguajmë faturën” në vitet e ardhshme, i gjithë komuniteti i basketbollit evropian. Madje këtë verë, disa trajnerë na thanë: “Mos u çudisni që këta lojtarë duken të ngadalshëm në zhvillim, janë gjenerata e prekur nga COVID-i.”

Ai theksoi se pas COVID-it ka pasur zhvillim pozitiv në shumicën e vendeve
“Ka vende ku lojtarët presin në listë për t’u bashkuar me klubet, sepse federatat dhe klubet nuk kanë mjaftueshëm salla apo trajnerë për t’i pranuar të gjithë. Kështu që po, ekziston një moment pozitiv. Gjatë kohës së pandemisë ne diskutuam shumë se si t’i ndihmonim federatat tona në mënyrën më efikase. Unë ende besoj se ndikimi do të ndihet për disa vite, por fatmirësisht, masat e marra gjatë viteve pas-COVID kanë qenë shumë efektive, dhe kemi sinjale të mira nga shumë federata që thonë se janë rikthyer në rrugën e duhur, madje ndoshta më mirë se më parë. Sigurisht, kjo nuk vlen vetëm për basketbollin, ishte sfidë për të gjitha sportet dhe për shoqërinë në tërësi. Do të ketë pasoja, dhe ne duhet të dimë si t’i menaxhojmë ato”.

Ai theksoi se, në përgjithësi, në këto dhjetë vitet e fundit ka pasur rritje në numrin e ekipeve kombëtare të moshave që marrin pjesë në garat zyrtare.
“Jemi pothuajse në kufirin maksimal, mund të kishim ndoshta edhe tre apo katër ekipe më shumë, por praktikisht jemi në limit. Mos harroni që Rusia dhe Bjellorusia ende nuk marrin pjesë, pra kufiri është i arritur. Kjo tregon se kemi arritur atë që donim të arrinim. Ne gjithashtu i mbështesim financiarisht federatat: ato marrin fonde specifike nëse marrin pjesë me ekipet e moshave kombëtare.
Nëse e shikoni zhvillimin dhe nivelin e basketbollit evropian, përfshirë edhe lojtarët evropianë që luajnë në NBA, ndoshta këto investime të 15 viteve të fundit kanë kontribuar në këtë rritje të cilësisë. Nuk është e lehtë ta matësh, por unë besoj se kjo ka luajtur një rol. Sepse mos harroni, çdo lojtar i ri në Evropë, në çdo vend, ka mundësinë të luajë në një skenë ndërkombëtare: nën 16, nën 18, nën 20, në Divizionet A, B ose C. Asnjë organizatë tjetër ndërkombëtare nuk e bën këtë. Dhe këtu ne investojmë një pjesë të madhe të të ardhurave tona” tha Novak.

Sipas Agon Fehmiut, autorit të emisionit ASIST “Revolucioni i teknologjisë, inteligjenca artificiale dhe përdorimi i celularëve po ndikon negativisht në aktivitetin fizik të fëmijëve, rrjedhimisht në basketboll andaj ai e pyeti drejtorin Novak se si mund të frymëzohen të rinjtë të luajnë më shumë basketboll në një epokë të tillë dhe si FIBA Evropa e trajton këtë problem?

“Kjo është diçka që e kemi diskutuar gjerësisht, dhe duhet të jemi realistë. Fëmijët e sotëm nuk janë më të mirë apo më të këqij, janë thjesht ndryshe nga sa ishim ne kur ishim të vegjël. Është evolucioni natyral. Dhe sot, jeta pa teknologjinë moderne, jo vetëm pa rrjetet sociale, por edhe pa telefonat, kompjuterët, etj – është e paimagjinueshme.
Fëmijët e sotëm kanë lindur me celularin në dorë. Prandaj, ne kemi krijuar një projekt të ri të quajtur Hoops for Schools, ku kemi zhvilluar një aplikacion dhe duam t’u tregojmë fëmijëve: “Mund ta përdorni telefonin tuaj, por në mënyrë që lidhet me basketbollin.”
Kështu që përpiqemi t’i përfshijmë fëmijët në basketboll, por njëkohësisht t’i integrojmë mjetet moderne të teknologjisë. Aplikacioni është shumë i mirë, i përkthyer në të gjitha gjuhët, falë inteligjencës artificiale, përkthimi nuk është më problem.
Si gjithë profesionet e tjera, edhe ne duhet të mësojmë si ta përdorim në mënyrë efikase inteligjencën artificiale dhe gjithçka që do të vijë, për t’u përmirësuar dhe për ta bërë sportin tonë, nuk dua ta quaj “produkt”, por sportin tonë më tërheqës për brezat e rinj.
Vetëm të thuash “merr topin dhe luaj basketboll” nuk funksionon më. Brezi i ri kërkon që teknologjia të jetë pjesë e lojës. Dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë.
Në fakt, jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me federata të tjera ndërkombëtare, veçanërisht me volejbollin dhe hendbollin, por edhe me UEFA-n dhe federatën e ragbit. Jemi pjesë e European Team Sports Association, dhe në nëntor do të takohemi sërish për të shkëmbyer përvoja.
Pra, përpiqemi të jemi më shumë se thjesht një organizatë që thotë “këtu janë dy tabela, luani pesë me pesë apo tre me tre”. Duam të fusim elementë të rinj në lojë, pa e ndryshuar thelbin e saj. Sepse vetë loja, po të mbetet e pandryshuar, nuk do të funksiononte më në realitetin e sotëm” shpjegoi Novak.

Në pyetjen se si teknologjia aktuale të bëhet mjet dhe njeriu ta kontrolloj atë dhe jo të bëhet skllav i saj, drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës dha një sygjerim ” Ne duhet të arrijmë që fëmijët të kenë dëshirën të dalin në fushë, të djersiten një orë apo dy. Si do ta kombinojmë këtë me aspektet e tjera, kjo është detyra jonë, ta bëjmë lojën tërheqëse. Por në fund të ditës, loja mbetet e njëjtë: duhet të dalësh në fushë, të konkurrosh, të jesh i motivuar, dhe ndonjëherë të fitosh, ndonjëherë të humbësh dhe duhet të mësosh nga të dyja. Këtu nuk ka ndryshuar asgjë. Thjesht janë shtuar elementë të rinj që duhet t’i marrim parasysh, përndryshe do të mbetemi pas” përfundoi Novak.

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme