KB Prishtina po vazhdon ecurinë e shkëlqyer këtë edicion, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në Ligën ENBL dhe njëkohësisht duke ruajtur bilancin perfekt edhe në Superligën e Kosovës. Bardhekaltërit triumfuan sonte në Bratisllavë ndaj skuadrës vendase Slovan Bratislava me rezultat 73-78, në një përballje të luftuar deri në fund.
Në një ndeshje ku intensiteti ishte i lartë, Prishtina e menaxhoi me maturi epërsinë dhe e kontrolloi rezultatin në momentet vendimtare. Deondre Burns shkëlqeu me 24 pikë, duke qenë motori kryesor i sulmit prishtinas, ndërsa Adrio Bailey kontribuoi me 19 pikë dhe 8 kërcime, duke bërë diferencën nën kosh.
Kjo fitore e mban Prishtinën me bilanc perfekt 3-0 në ENBL, ndërkohë që edhe në kampionatin vendor ka të njëjtin bilanc, 3 fitore në po aq ndeshje, duke dëshmuar formën e lartë që po kalon ekipi i trajnerit Milicic.
Ndeshjen e radhës në arenën ndërkombëtare, Prishtina do ta zhvillojë gjatë mesjavës së ardhshme në kryeqytet, ku do të presë Dinamon e Zagrebit, në përpjekje për ta zgjatur serinë e fitoreve dhe për të konsoliduar pozitën në krye të grupit. /AsistiOnline.com/




