Vëllaznimi ka prezantuar përforcimin e ri nën kosh, qendrën kanadeze Kaosi Ezeagu, i cili i bashkohet skuadrës gjakovare për pjesën e mbetur të sezonit.
Ezeagu, i gjatë 2 metra e 8 centimetra, vjen në Superligën e Kosovës pas një edicioni të mirë në basketbollin polak me ekipin AZS Politechnika, ku në 15 ndeshje regjistroi mesatare prej 14.5 pikë dhe 7 kërcime për ndeshje.
Përveç Polonisë, qendra 24-vjeçare ka luajtur edhe në Estoni me skuadrën Rapla, ndërsa karrierën e tij kolegjiale e zhvilloi në SHBA, duke qenë pjesë e katër universiteteve në ligën NCAA: UTEP Miners, Kansas State Wildcats, Sam Houston State Bearkats dhe New Mexico State Aggies.
Klubi nga Gjakova i ka uruar mirëseardhje dhe suksese qendrës së re, duke theksuar se fanella e Vëllaznimit “peshon shumë” dhe kërkon maksimumin nga secili që e vesh. /AsistiOnline.com/




