Në prag të përballjes së nesërme mes Prishtinës dhe Dinamo Zagrebit në kuadër të ENBL League, AsistiOnline.com ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me një nga emrat më të njohur të basketbollit ballkanik, Damir Mulaomeroviq, i cili rikthehet në Prishtinë pas disa vitesh, kësaj radhe në rolin e trajnerit të ekipit kroat Dinamo Zagreb.
Trajneri boshnjak nuk e fshehu emocionin e madh për rikthimin në kryeqytetin kosovar, ku në të kaluarën kishte përjetuar një periudhë të artë me skuadrën e Prishtinës.
“Ndihem shumë, shumë i lumtur. Sot kam takuar aq shumë miq, më duhen edhe 24 orë vetëm për të pirë kafe me ta. Ishte një vit i mrekullueshëm në Prishtinë – në jetën time personale dhe profesionale. Ndihem jashtëzakonisht krenar për gjithçka që arritëm,” – tha Mulaomeroviq.
Ish-trajneri i Prishtinës kujtoi me nostalgji sezonin historik në FIBA Europe Cup, ku skuadra u rendit mes 16 më të mirave në Evropë, duke mposhtur edhe ekipe të kalibrit të lartë si Karsiyaka.
“Ajo periudhë do të mbetet gjithmonë në histori. Kishim lojtarë të jashtëzakonshëm si Dardani, Kyan, Khalid Boukichu dhe shumë të tjerë. Të gjithë punuam shumë, kishim karakter dhe luftuam për çdo fitore. Edhe sot mendoj se ai është rezultati më i madh në Evropë për basketbollin e Kosovës,” – theksoi Mulaomeroviq.
Duke folur për aktualitetin, trajneri i Dinamos u shpreh se përballja me Prishtinën në ENBL League është një sfidë e veçantë për të – dhe një rast për skuadrën e tij që të rritet si ekip.
“Kur u zgjodhën grupet, vetë kërkova që Dinamo të luante me Prishtinën. Kjo ligë është shumë interesante, me shumë skuadra të forta. Prishtina ka lojtarë të talentuar dhe një trajner të mirë. Për ne, kjo është një mundësi për të përjetuar emocionin e garave evropiane dhe për të avancuar si klub,” – shtoi ai.
Rikthimi i Damir Mulaomeroviqit në Prishtinë është më shumë sesa një ndeshje – është rikthimi i një figure që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e basketbollit kosovar, duke rikujtuar kohën kur kryeqytetasit ishin pjesë e elitës së Evropës. /AsistiOnline.com/




