Në Prizren sonte zbarkon një nga emrat më të njohur të basketbollit kroat dhe evropian – Cibona Zagreb, skuadër me histori të gjatë dhe traditë të pasur në këtë sport.
E themeluar në vitin 1946, Cibona ka qenë një nga forcat më të mëdha të basketbollit ish-jugosllav dhe evropian dikur, me kulmin e saj në vitet ’80, kur nën drejtimin e legjendës Dražen Petroviç fitoi dy herë radhazi Kupën e Kampionëve Evropianë (sot Euroleague), në vitet 1985 dhe 1986.
Klubi, që sot zhvillon ndeshjet e veta në sallën “Dražhen Petroviç” në Zagreb, mbetet një simbol i kulturës sportive kroate, pavarësisht sfidave ekonomike që ka kaluar në dekadat e fundit.
Me një bazë të fortë lojtarësh vendas dhe një strategji të përforcuar me basketbollistë amerikanë dhe evropianë, Cibona po kërkon të rikthehet fuqishëm në arenën ndërkombëtare përmes FIBA Europe Cup.
Për sezonin aktual 2025/26, skuadra është rinovuar ndjeshëm, me përforcime si amerikani Justin Roberson, që pritet të luajë rol kyç në fazën ofensive. Ndërkohë, lojtarë si Krešimir Radovçiq dhe Matej Rudan po mbajnë peshën kryesore të ekipit, duke e vendosur Cibonën në krye të grupit në FIBA Europe Cup me 3 fitore nga 3 ndeshje në këtë fazë të garës.
Kjo përbërje e re ka sjellë stabilitet dhe efikasitet në lojën e Cibonës, e cila tashmë po synon të sigurojë kalimin në raundin tjetër. Me përvojën, traditën dhe kualitetin e lojtarëve, ekipi kroat shihet si një nga ekipet serioze të këtij edicioni të FIBA Europe Cup.
Sonte në “Sezai Surroi”, Cibona do të kërkojë ta vazhdojë ecurinë perfekte, ndërsa Bashkimi do të mundohet ta ndalë një nga skuadrat më të suksesshme të historisë së basketbollit ballkanik. /AsistiOnline.com/




